Rrëfehet Briken Calja: Krenar për triumfin, por nuk ndalem këtu

13 Dhjetor 2021
12:13
Telesport
back button

Peshëngritësi Briken Calja shkëlqeu në botërorin e shtangës që po zhvillohet në Tashkent të Uzbekisanit. Ai fitoi një medalje të artë në stilin e shkëputjes dhe dy të argjendta, në shtytje e dygarësh, duke ngritur lart flamurin kuqezi. Përmes një postimi në rrjetet sociale, peshëngritësi nga Shtërmeni ka rrëfyer emocionet e këtij triumfi dhe premton se nuk do të ndalet këtu.

Kampion bote në shkëputje dhe nënkampion në shtytje e dygarësh, është një rrugëtim i gjatë suksesi, një karriere të jashtëzakonshme ku është derdhur djersë, mund e gjak dhe jam shumë krenar teksa shoh që të tëra këto po shpërblehen me rezultate. Rrugëtimi i një karriere plot sakrifica, e ndërsa kthej kokën pas shikoj plot sfida të fituara e të humbura, plot buzëqeshje e lot të derdhur, plot njerëz që më mbështetën e refuzuan por në fund unë mbeta po ai, Brikeni që nuk u dorëzua kurrë, po ai me atë optimizëm të herës së parë kur preka shtangën, ashtu edhe para dy ditësh në Uzbekistan”, shkruan Briken Calja.

Më tej, shtangisti kuqezi shkruan: “Këto rezultate historike të peshëngritjes shqiptare janë fryt i punës së palodhur times e stafit tim dhe mbështetjes të plot njerëzve që më rrethojnë. Një falenderim i madh shkon në radhë të parë për familjen time për suportin, stafit tim Geraldit dhe Vaninit, ekipit Tirana dhe Bashkisë Tiranë, Federatës së Peshëngritjes, Komitetit Olimpik dhe në fund por jo më pak të rëndësishëm të gjithë njerëzve të zakonshëm sportdashës të cilët janë burim frymëzimi për mua dhe më kanë mbështetur e brohoritur në çdo hap timin. Asgjë nuk ka përfunduar, të tjera suksese na presin së bashku, ku më i rëndësishmi është gjithmonë ai i radhës”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit