Zhgënjen Daniel Godelli, i dhuron medaljen e bronzit Erkand Qerimajt

10 Prill 2019
19:14
Telesport
back button

Peshëngritësi Daniel Godelli ka zhgënjyer në Kampionatin Europian të Peshëngritjes që po zhvillohet në Batumi të Gjeorgjisë. Shtangisti kuqezi ka dështuar në stilin e shkëputjes në peshën 81kg, duke mos realizuar asnjë nga provat në dispozicion, duke mos dhënë asnjë rezultat.

Në provën e parë, shtangisti kuqezi tentoi të ngrejë 160kg, por pa sukses. Ndërsa në provën e dytë tenton 161kg, por sërish zhgënjen. Këtë peshë provon ta ngrejë edhe në përpjekjen e tretë, por pa sukses. Për pasojë, shtangisti kuqezi nuk jep asnjë rezultat në këtë stil dhe në dygarësh.

Ai që përfitoi nga ky dështim i Godellit, por edhe nga gabimet e shtangistëve të tjerë të Baterisë A është shkodrani Erkand Qerimaj, që gjatë mesditës garoi në Baterinë B të peshës 81kg. Qerimaj u rendit i dyti në stilin e shkëputjes në Baterinë B (me 159kg).

Gjithsesi, pas përfundimit edhe të Baterisë A, ai zbriti në vendin e tretë në renditjen e përgjithshme, duke marrë kështu medaljen e bronztë. Një podium ndoshta i paparashikuar ky për Qerimajn, që vendos në qafë një medalje deri më tani të merituar.

Gara vazhdoi me stilin e shtytjes, por Godelli vendosi të tërhiqet. Ndërsa Qerimaj, pas konkurrimit edhe të Baterisë A, u rendit në vendin e shtatë në këtë stil (me 188kg). Në dygarësh, shkodrani e mbylli në vendin e gjashtë, me 347kg.

Renditja e stilit te shkeputjes ne peshen 81kg

Lajme të tjera

Lajmet e fundit