Duhet të jetë vetëm çështje kohe para se Mikel Merino të largohet nga skuadra e Real Sociedad. Mesfushori 29-vjeçar, heroi i fitores 2-1 të Spanjës ndaj Gjermanisë në çerekfinale të Euro 2024, mbrëmë festoi triumfin dhe e ngriti trofeun në qiell.
Por, as 24 orë më vonë, është koha që spanjolli të mendojë për të ardhmen e tij. Mikel Merino ka përfunduar në shenjestrën e Arsenal edhe mediat spanjolle konfirmojnë se ai ka dëshirë të provojë një aventurë të re, larg La Liga.
Për këtë arsye, Arsenal këmbëngul për lojtarin që ka ende edhe një vit kontratë. Duke parë situatën, Societad është treguar i gatshëm ta lërë të lirë Mikel Merino, për të mos e humbur gratis verën e ardhshme (2025).
Edhe Barcelona ka qenë në garë për mesfushorin, por duket se klubi katalanas nuk ka burimet e duhura financiare për ta blerë. Arsenal është gati t’i ofrojë lojtarit një rrogë dy herë më të lartë se ajo që merr aktualisht.
“Topçinjtë” ofrojnë 3,2 milionë euro në sezon dhe një kontratë deri në vitin 2027, me opsion edhe për një vit tjetër. Një ofertë që tejkalon atë të Barça, ndaj transferimi drejt Londrës duket një gjë e mbyllur.