Apeli i Shkëmbit: Kujdes Laçin, mos të gënjehemi nga renditja!

22 Tetor 2019
13:54
Alfred Lleshi
back button

Teuta kryeson Superioren për momentin, në kuotën e 15 pikëve. Në javën e 9-të, durrsakët do të udhëtojnë drejt Laçit, për t’u ndeshur me bardhezinjtë, që janë në pozita fundore në klasifikim, ndaj edhe kanë ndryshuar trajner. Starova ia hapi krahun Cungut, i cili e nisi me humbje ndaj Tiranës, por shpreson ta korigjojë shënjestrën nesër në shtëpi, duke nisur nga ora 13:00. Një ditë para kësaj sfide ka dalë në konferencë për shtyp Bledi Shkëmbi, i cili ka folur për aspekte të ndryshme, që lidhen me të tijtë: 

“Me Laçin do të jetë një ndeshje e vështirë, duke marrë parasysh kundërshtarin. Është rival i fortë, pavarësisht rezultateve jo të mira deri tani. Laçi ka një ekip të kompletuar, shumë të mirë. Për më tepër, në fushën e tij është e vështirë ta mundësh. Pra, duhet të jemi të kujdesshëm dhe të japim maksimumin tonë për të marrë rezultatin që duhet. Shënojmë pak? E thashë edhe pas ndeshjes, jam i kënaqur me çfarë dha ekipi kundër Flamurtarit. Luajtëm gjithë kohën në sulm, por nuk është e lehtë të shënosh shumë gola në futbollin e sotëm. 

Patëm momentet tona për të shënuar më shumë se një gol, por nuk ia dolëm. Fitorja vlen mbi gjithçka. Nuk jam shumë dakord që ishte vetëm një inkursion i Kallakut. Vërtetë ishte një perlë e tij, një veprim teknik për t’u admiruar, por derisa u shënua goli kemi pasur 22 pasime. Topi nisi nga portieri dhe shkoi deri aty. Flamurtari nuk ishte aq i dobët, siç mund të duket në letër. Tri pikët vlejnë njëlloj, si me Flamurtarin, ashtu edhe me ekipet e tjera.

Fantazia në skuadër? Nuk më pëlqen të bëj gabimet që bëjnë të tjerët, që të them se, kur kam luajtur unë, futbolli ishte më i mirë. Nuk e kemi problem fantazinë te Teuta, pasi luajmë me Kallakun. Ai e bën shumë mirë këtë detyrë, por kemi edhe Avdylin. Sulmuesit nuk po shënojnë? Nuk më vjen mirë, që kjo ndodh. Ata bëjnë maksimumin në stërvitje, punojnë shumë, ndaj vazhdoj të besoj se do të rikthehen te golat. Patjetër, sulmuesit do të jenë një ndihmë e madhe për ekipin.

Kryesimi? Këtu punohet me dëshirë të madhe për rezultate të mira. Nuk është meritë vetëm e stafit. Madje, merita kryesore iu takon lojtarëve, që kanë uri për sukses. Kjo gjë më pëlqen dhe na ndihmon shumë ne si staf teknik. Deklarata e Vrapit? Përgjigja është e thjeshtë: Jam i pari i kësaj pune dhe nuk bëj asgjë me shoqëri e miqësi. Çfarë kam pasur, ndryshe nga të tjerët, nuk i them gjërat nëpër gazeta, por njerëzve përkatës në sy. Kjo është përgjigjja më e mirë. Unë vazhdoj ta falënderoj Vrapin për ndihmën e madhe që na dha sezonin e kaluar”.

Standings provided by Sofascore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit