Covid-19 i merr jetën ish-futbollistit të njohur lezhjan, Nikolin Lorenci

21 Nëntor 2020
12:22
Alfred Lleshi
back button

Një tjetër fatalitet nga bota e sportit shqiptar ka shënuar ditën e sotme pandemia e Covid-19. Si pasojë e këtij virusi vrastar ka humbur jetën ish-futbollisti dhe specialisti i njohur lezhjan, Nikolin Lorenci. Mësohet se ai ka qenë prej disa ditësh i shtruar në Spitalin Infektiv në Tiranë, ku gjendja është përkeqësuar dhe mëngjesin e sotëm ka mbyllur sytë përgjithmonë.

Lorenci ka lindur më 13 dhjetor 1949 në Lezhë. Pasioni i tij i hershëm ka qenë futbolli. Për herë të parë, ai e ka veshur zyrtarisht fanellën e Besëlidhjes në maj 1965, në ndeshjen ndaj Butrintit. Që nga ajo kohë e deri në fund të sezionit 1978-1979, Lorenci nuk i është ndarë fushës së blertë, duke thyer rekord si titullar, pasi nuk ka munguar në asnjë ndeshje për skuadrën lezhjane.

Si futbollist me fanellën e Besëlidhjes, Nikolini ka luajtur 5 sezone, konkretisht: 1970-71,  1972-73, 1973-74, 1974-75, dhe 1978-79. Pasi e ka lënë futbollin e luajtur, ai nuk i është ndarë fushës së blertë, duke shërbyer si trajner i Besëlidhjes, shef i klubit, drejtor sportiv në akademitë private të futbollit në Lezhë (“Brians” dhe  “Porto”), ndërsa ka qenë edhe vëzhgues i FSHF-së në ndeshjet e kampionatit kombëtar.

Më 4 dhjetor 2018, këshilli bashkiak i Lezhës e shpalli Nikolin Lorencin “Qytetar Nderi” të bashkisë për kontributet e shumta në sport. Më herët, Nikolin Lorenci kishte marrë dhe titullin “Mjeshtër Sporti”.

Me këtë rast i shprehim ngushëllimet e sinqerta familjes dhe të afërmve për këtë humbje të madhe. U prefsh në paqe “mjeshtër”!

Lajme të tjera

Lajmet e fundit