De la Fuente: Kjo kombëtare është arsye krenarie për të gjithë spanjollët

9 Qershor 2025
8:20
Alfred Lleshi
back button

Luis de la Fuente e hapi konferencën për shtyp me një mesazh ngushëllimi për familjen e një tifozi spanjoll, që humbi jetën gjatë ndeshjes ndaj Portugalisë. “U kujtova lojtarëve krenarinë që ndjej për faktin që kemi luftuar për një trofe dhe që për mua është nder të punoj me ta. Tani na mbetet të luftojmë për Kupën e Botës”, – deklaroi trajneri i Spanjës.

Për Lamine Yamal: “E zëvendësuam, sepse donim të sillnim më shumë energji në lojë. Kjo garë ka qenë shumë e vështirë për të dhe për të gjithë. Ai është vetëm 17 vjeç. Erdhi momenti ta zëvendësonim dhe kaq”.

Vendimi për penalltitë: “Të gjithë ekzekutuesit ishin në nivel të lartë. Nëse Morata e humbi, është sepse pati guximin të marrë përgjegjësinë. Ai është një kampion dhe pikë referimi për ne. Më vjen shumë keq që gaboi ai, por përgjegjësia është e imja, sepse ia kërkova unë të godiste nga pika e bardhë”.

Çfarë nuk shkoi mirë: “Pas ndeshjes, shumë nga kundërshtarët na thanë që Spanja ishte skuadra më e mirë, kundër së cilës kishin luajtur. Ishte një ndeshje me alternime, siç ndodh në këto nivele. Nëse ata nuk do të kishin shënuar golin e dytë, ndoshta historia do të ishte ndryshe”.

Çfarë e vendosi ndeshjen: “Kundër Portugalisë patëm më shumë zotërim topi se ndaj Francës, ndonëse shënuam pesë gola në ndeshjen e mëparshme. Futbolli sot është shumë i barabartë dhe gjithçka vendoset nga detajet. Kjo ndodhi edhe ndaj Portugalisë”.

Ndjenja kombëtare: “Pas penalltive, u mblodha me lojtarët në fushë. Ishte momenti t’iu kujtoja që duhet të jemi krenarë për këtë skuadër dhe për gjithçka që po bëjnë. Iu thashë se jam krenar që i kam në dispozicion. Tani duhet të mendojmë për Kupën e Botës. Vazhdoj t’i llogaris të gjithë, si ata që ishin këtu, ashtu edhe ata që munguan, si Carvajal apo Rodri”.

Në fund e lavdëroi maksimalisht ekipin e tij: “Nuk ka dyshim për atë që po arrijmë. Jemi duke shënuar një epokë, një stil. Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, jo për shkakun tim, por të lojtarëve që kemi”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit