Me tre garat e para të sezonit të Formula 1 të përfunduara, presidenti Stefano Domenicali shfrytëzoi “pushimet pranverore” për të bërë një vlerësim të ciklit të ri rregullator. Ashtu si me të gjitha zhvillimet e reja, ka disa gjëra që duhen ruajtur dhe të tjera që duhen adresuar.
Siguria në pistë dhe kualifikimet janë dy temat kryesore të takimeve midis palëve të ndryshme të interesuara në këtë sport. “Nuk është në interes të FIA dhe F1 të vazhdojnë sezonin pa dëgjuar dy nga aktorët kryesorë në suksesin e sportit: tifozët dhe pilotët”, tha Domenicali.
Sipas tij, nuk është rastësi që këta të fundit morën pjesë në një takim online me Federatën dhe FOM-in për të diskutuar se si të përmirësohen rregulloret e reja. Presidenti i F1, Stefano Domenicali, e vlerësoi pozitiv dhe të hapur takimin, ndërsa theksoi se kritikat ndonjëherë rrjedhin nga interesa të fshehta.
“Diskutimet e mia me pilotët janë shumë të hapura; ata e dinë se unë i vlerësoj mendimet e tyre. Dua që ata të jenë të përfshirë. Nëse flet me pilotët në krye, ata janë gjithmonë shumë të lumtur sepse fitojnë. Të tjerët mund të ndihen të frustruar, sepse shijojnë një mënyrë tjetër gare, të cilën unë e respektoj shumë”, shtoi Domenicali.
Ish-drejtori i ekipit Ferrari u dërgoi gjithashtu një mesazh të rëndësishëm pilotëve, kryesisht për Max Verstappen, i cili ka shprehur vazhdimisht dëshirën e tij për të kaluar në kategori të tjera dhe për të lënë një Formula 1 që, sipas mendimit të tij, nuk i shpërblen pilotët.
“U thashë atyre, ‘Djema, mos harroni se jemi këtu sepse bëmë gjërat e duhura së bashku. Kini respekt për një sport që na ka dhënë të gjithëve një mundësi të jashtëzakonshme për t’u rritur, për të fituar shumë parà, për të zhvilluar një personalitet që sportet e tjera nuk mund t’jua japin.’ Mendoj se ky mesazh u kuptua”, tha Domenicali.







