Lajmi se Skënderbeu fiton në CAS, reagon klubi: Janë thashetheme, më 16 prill do të…

8 Mars 2019
19:59

Gjatë ditës së sotme u publikua në media lajmi se Skënderbeu është duke fituar në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv çështjen që ka ndaj UEFA-s, në lidhje me dënimin e dhënë nga kjo e fundit për klubin korçar. Në lajm pohohet se avokatët e Skënderbeut kanë siguruar prova të mjaftueshme që hedhin poshtë dënimin e klubit, ndërsa një tjetër lajm i publikuar pasdite, pohonte se Skënderbeu veç fitores së çështjes, pritet të marrë dhe një dëmshpërblim prej 25 milion eurosh. Mirëpo e gjitha kjo, sipas klubit korçar, është “fake”, pra asgjë e vërtetë. Këtë gjë e ka bërë të ditur klubi me anë të një reagimi për shtyp, ku saktëson se data 16 prill është caktuar si dita kur përfaqësuesit e klubit do të pyeten nga trupa gjykuese e CAS.

"SQARIM PUBLIK: Klubi i Futbollit “Skënderbeu” është i detyruar të sqarojë të gjithë dashamirësit e ekipit dhe ata që duan të dinë më shumë për vendimin që ne presim nga CAS-i.

Të gjitha ato që fliten së fundi në ambjentet futbolldashëse, në mediat e shkruara dhe elektronike, por edhe në të gjitha rrjetet sociale janë vetëm thashetheme dhe asgjë më shumë se kaq.

Jemi mësuar prej shumë kohësh me këto thashetheme dhe ne u themi të gjithë tifozëve që të qëndrojnë me “këmbë në tokë”. Të vetmet sqarime zyrtare dhe reale mund ti gjeni vetëm në faqen tonë.

Ju njoftojmë se Seanca Dëgjimore në CAS do të jetë në datën 16 prill 2019 dhe sigurisht do të presim të qetë këtë ditë dhe bashkë me të edhe vendimin zyrtar.

Jemi të qetë dhe të bindur që ne do të dalim fitimtarë në fund, por na vjen keq për thashethemet e fundit dhe ishim të detyruar për këtë sqarim.

Faleminderit për mirëkuptimin!"– thuhet në njoftimin e klubit.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit