Futbolli shqiptar në zi, ndahet nga jeta Arben Laze

6 Janar 2022
8:11
Alfred Lleshi
back button

Futbolli shqiptar në zi. Është ndarë nga jeta presidenti i Elbasanit, Arben Laze. Njeriu që e ngriti në majë futbollin elbasanas, deri te titulli kampion, kishte pësuar një infarkt dhe ndodhej në spital në gjendje të rënduar. Teksa po i nënshtrohej një operacioni, ai nuk ia ka dalë, duke na thënë të gjithëve lamtumirë.

Duhet kujtuar se nën drejtimin e Lazes, Elbasani u kthye ndër protagonistët kryesorë në futbollin shqiptar për disa vite, duke fituar titullin e dytë kampion në historinë e klubit pas 22 vitesh pritje, në sezonin 2005-2006. Nuk ka vonuar edhe ngushëllimi i ndjerë i presidentit të FSHF-së, Armand Duka për mikun e tij:

“Pak orë më parë mora lajmin e rëndë se miku im i mirë, presidenti i Elbasanit, që ai e deshi aq shumë, Arben Laze, u nda nga ne. Është e vështirë dhe tani për mua ta besoj dhe të shkruaj këto fjalë për një njeri të mirë, plot humor dhe optimizëm, që kontribuoi aq shumë për futbollin shqiptar.

Beni ishte një mik i të gjithëve ne, një njeri që nuk hiqte dorë lehtë nga përgjegjësitë dhe sfidat. Energjia e tij do t’i mungojë komunitetit të futbollit. Në këtë moment të vështirë për familjen e tij, miqtë e tij të shumtë, lutemi që shpirti i tij të prehet në paqe. Lamtumirë miku im, do më mungosh!”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit