Hasanbelliu hap kartat: Cale maskara, Osmani mund të shkojë te Tirana

15 Qershor 2019
9:38
Eraldo Harlicaj
back button

Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, është i vendosur që të ndërtojë një ekip dinjitoz për Kupat e Europës. Ai synon që të afrojë futbollistët e duhur në mënyrë që të mund të kalojë të pakten një tur në Europë me skuadrën durrsake. 

Numri një i klubit ka dhënë një intervistë të fortë për "Panorama Sport" ku thekson sjelljen jo profesionale të Elton Calesë. Ai tregon se e kishte të mbyllur marrëveshjen me shtatshkurtrin, por braziliani dribloi në fund. 

"Cale ka ardhur në Durrës dhe ka takuar ortakun tim, Bardhi, para disa ditësh. Kanë biseduar dhe i ka ofruar kontratën, duke rënë dakord për gjithçka dhe për dy-tri ditë do të firmoste. Këtë hapësirë e ka përdorur për të bërë pazare dhe pas ndërhyrjeve të klubeve të tjera, i ka dërguar një mesazh shefit të klubit tonë, që nuk vjen dot te Teuta pasi Tirana i ofron më tepër para. 

"Më vjen keq që po e them, por disa lojtarë janë bërë mostra. Si puna e Kalesë na ka ndodhur edhe me të tjerë, që vijnë në Durrës, biem dakord dhe pastaj luajnë me dy porta", – tregon Hasanbelliu. 

Ai foli dhe në lidhje me situatën e Tefik Osmanit. Numri një i klubit thekson se nuk e ka problem si me Osmanin dhe si pa të. "Faktikisht Osmani është pjesë e ekipit dhe do të luajë me Teutën në Europë. Të shohim çfarë do të ndodhë më pas. Nëse ai do që të shkojë te Tirana, le të shkojë, nuk na prish aspak punë", – u shpreh presidenti. 

Hasanbelliu komentoi dhe merkaton e janarit e situatën e Bledi Shkëmbit. Ai e shpreh hapur zhgënjimin e tij për afrimet e dimrit. "Jam shumë i pakënaqur nga lojtarët që morëm në janar. Në përgjithësi merkatoja e dimrit kështu del, por menduam se bëmë diçka të mirë duke afruar emra si Frashëri, Bushiç dhe Vajushi. Ky i fundit nuk ishte ai që ne prisnim, për më tepër erdhi i dëmtuar në gju. Bushiç gjithashtu ishte larg pritshmërive, ndërsa Frashëri dështoi totalisht. Nga afrimet, deri diku Arapi e justifikoi pak veten. Shkëmbi? Trajneri i ri dhe mund të gabojë, por ka mbështetjen time". 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit