Kurbinasit dhe tranversa ndalin Kukësin, “fërkon duart” Tirana

9 Dhjetor 2021
15:53
Alfred Lleshi

Laçi ka triumfuar në “Air Albania”, në ndeshjen përmbyllëse të javës së 12-të të Superiores. “Heroi” i ndeshjes për kurbinasit ka rezultuar Guindo, sepse ka shënuar dy gola brenda dy minutave.
Më konkretisht, në minutën e 10-të, sulmuesi afrikan ka shfrytëzuar gafën e Bruno Lulajt, duke zhbllokuar rezultatin, i vetëm me portierin kundërshtar.

Dy minuta më vonë, ish-sulmuesi i Bylisit është asistuar nga Zarubica dhe i vetëm me portën e boshatisur verilindore e ka dërguar topin në rrjetë. Në shtesën e pjesës së parë, Kukësi ka shënuar, por pas pamjeve me VAR, kryesori Kridens Meta anuloi gjithçka për faull. Bruno Lulaj mbeti “thatë” në këtë rast.

Pjesa e dytë ishte tejet kërkuese nga Kukësi. Qysh në minutën e 55-të ngushtohet rezultati në 2-1. Krosimi i bukur nga Taipi gjen kroatin Basa, që nuk gabon përballë Dajsinanit. Momentin e artë për të barazuar, skuadra e Diego Longos e pati në minutën e 89-të, kur u akordua penallti për të.

Nga pika e bardhë goditi Ardit Hila, por topi u ndal në traun e portës kurbinase. Përfundimisht, një ndeshje mjaft e luftuar, që dhuroi emocione, por dërgoi tri pikë të çmuara në llogarinë e Laçit. Kukësi ndal hapin në raport me Tiranën kryesuese, që “fërkon duart”, ndërsa kurbinasit ngjiten në vendin e katër me 20 pikë. Ecuri pozitive e skuadrës së Mirel Josës, që sheh nga kreu tashmë.

Standings provided by SofaScore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit