Lajmi i fundit: Thellohet kriza gjirokastrite, ikën Mezani

28 Janar 2019
10:47
back button

Gentian Mezani nuk është më trajner i Luftëtarit. Lajmi pritej në fakt që të dielën pasdite, pas humbjes së turpshme të skuadrës gjirokastrite në shtëpi, ndaj Kastriotit.

Mezani pas ndeshjes bëri analizë teknike, nuk foli për largim, por e tha troç në lidhje direkte në Supersport: "Skuadra është dobësuar ndjeshëm, me këtë ekip jemi të rënë".

Fjalë të forta, por të sinqerta, për një trajner që nuk fshihet kurrë dhe merr përgjegjësinë që i takon, por nuk mund të mbajë mbi shpinë gabimet e të tjerëve dhe një merkato skandaloze këtë janar.

Telesport mëson se pas deklaratave në televizion, drejtuesit gjirokastritë janë irrituar edhe më keq dhe e kthyen shënjestrën nga Mezani, ndonëse fillimisht e kishin me lojtarët, duke i akuzuar për tolerim apo trukim.

Trajnerit vlonjat i është kërkuar llogari për deklaratat dhe situata ka qenë shumë e nderë, duke bërë që Mezani të paraqesë sot dorëheqjen, vendim i pakthyeshëm, që klubi e ka pranuar.

Tashmë në Gjirokastër situata është katastrofike, pasi skuadra është mjaft e dobët dhe kushdo që do të marrë vendin e Mezanit do ta ketë mjaft të vështirë të ndryshojë diçka, pa përforcime urgjente.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit