Martini ndez sfidën me FC Sheriff, “prek në sedër” Seferin dhe Kallakun

6 Korrik 2021
12:31
Alfred Lleshi
back button

Nesër, prej orës 19:00, në “Niko Dovana” do të luhet ndeshja e parë mes Teutës vendëse dhe FC Sheriff të Toraspolit. Një duel kualifikues për Ligën e Kampionëve, ku durrsakët duan të hedhin hapin e duhur drejt kualifikimit. Në konferencën për shtyp, në prag të sfidës, trajneri i “djemve të detit”, Edi Martini, nënvizoi:

 “Kemi bërë një fazë përgatitore të mirë. Është e rëndësishme që nuk kemi pasur dëmtime. Daja ka pasur pak probleme në fund të stërvitjes dje. Në përgjithësi, skuadra është mirë, edhe lojtarët që kanë ardhur janë të mobilizuar. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë.

Kundërshtari? Normalisht, në letër janë më mirë se ne, kanë buxhet shumë herë më të lartë se ne. Jemi në një pikë që, pavarësisht se nuk jemi të favorizuar, mund të arrijmë më të mirën. Sigurisht, është një ndeshje shumë e vështirë, nuk është sikur vjet, me një takim dhe luanim në shtëpi. Sidoqoftë, duhet të bëjmë paraqitje shumë të mirë ndeshjen e parë, të arrijmë rezultat dhe të shohim pastaj kthimin.

Lojtarët e afruar në merkato? Çdo gjë do kohën e vet, jemi të vetëdijshëm. Seferi është një lojtar që vrapon shumë dhe na ndihmon në të dyja fazat, në mbrojtje e sulm. Është një lojtar me eksperiencë, pasi vjen nga kombëtarja.

Lojtarët që vijnë nga kombëtarja kanë treguar se përshtaten shpejt. Kallaku është një lojtar që deri vjet ka qenë i yni, kështu që nuk është ndonjë problem i madh, pasi 80 për qind e ekipit është po ai. Shpresoj të jenë në maksimumin e gjendjes së tyre të dy”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit