Muriqit i shkon fama deri në Spanjë: E duan Manchester United dhe Tottenham

17 Shtator 2019
13:32
Alfred Lleshi
back button

Ndriçoi në kohën e duhur, në ditën ideale. Këtë e bëri Vedat Muriqi, sulmuesi kosovar, që aktualisht luan te Fenerbahçe. Ai ishte ylli i ndeshjes kualifikuese për “Euro 2020” midis Anglisë dhe Kosovës. Ajo që apriori ishte një sfidë e lehtë dhe e thjeshtë për anglezët, rezultoi e ndërlikuar, kryesisht prej sulmuesit në fjalë (5-3). Muriqi mori pjesë drejtpërdrejt në tre golat e Kosovës. Ai shënoi nga penalltia, që vetë e fitoi, teksa edhe dy golat e tjerë “lindën” nga këmbët e tij me dy asiste. Shtatlarti e bëri vërtet me “dhimbje koke” mbrojtjen e ishullorëve. 

Një paraqitje e tillë ka bërë që Muriqi të fitojë interesin e disa skuadrave në Premier League. Manchester United dhe Tottenham e kanë vëzhguar nga afër lojtarin aktual të Fenerbahçe, 25 vjeç. Vitin e kaluar në Superligën Turke ai shënoi 17 gola dhe dha 8 asiste në 34 ndeshje. Këtë sezon e ruan mesataren e tij, me dy gola në katër ndeshje. Muriqi shënon edhe me Kosovën. Në Ligën e Kombeve realizoi dy gola, ndërsa tre të tillë i ka grumbulluar në pesë ndeshjet kualifikuese të “Euro 2020”.
Shkruan “Sport.es”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit