Ndeshje surrealiste. Fjala “Kosovë” e ndaluar, emër me shkronja të vogla…

1 Prill 2021
10:46
Alfred Lleshi
back button

Mediat italiane, konkretisht “Corriere dello Sport” i kanë kushtuar vëmendje mënyrës si u luajt ndeshja mes Spanjës dhe Kosovës. Për to duket surreal që emri “Kosovë” ishte i ndaluar dhe televizioni publik spanjoll e shkruajti me shkronja të vogla:

“Në ‘Estadio La Cartuja’ të Seville, në grupin B kualifikues për Kupën e Botës 2022, Spanja mundi Kosovën 3-1 dhe përfitoi nga pushimi i Suedisë për të kaluar në krye të renditjes. Mysafirët qëndruan pa u mposhtur deri në minutën e 34-t, kur “Furia e Kuqe” kaloi në avantazh me dy goditje vdekjeprurëse në dy minuta; fillimisht me Dani Olmo dhe më pas me Ferran Torres. Halimi u përpoq të rihapte ndeshjet në minutën e 70-të, por pesë minuta më vonë, Gerard Moreno u kujdes për largimin e fantazmave mbi ekipin kombëtar të Luis Enrique.

Ndeshja midis Spanjës dhe Kosovës u karakterizua nga disa detaje, në lidhje me një çështje politike. Shteti spanjoll, në fakt, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Kjo çështje vazhdon të jetë një pikë e tensionit diplomatik për disa vende të Bashkimit Europian, përfshirë Spanjën, dhe për këtë arsye nuk mund të përmendej në televizionin publik.

Në TV, komentuesit e ndeshjes kurrë nuk e shqiptuan fjalën “Kosovë” më vete, por zgjodhën të përdorin “Federata e Futbollit të Kosovës”. Për më tepër, kombëtarja kosovare e pa emrin e saj me shkronja të vogla në anën e majtë të ekranit, gjatë transmetimit televiziv, jo me shkronja të mëdha, si zakonisht, sikurse shkruhej Spanja”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit