Nuk mjaftojnë Belica e Hoxha, Luftëtari përmbys Partizanin (Video)

12 Mars 2019
15:55
back button

Partizani bën surprizën në Kupën e Shqipërisë duke humbur 1-2 ndaj Luftëtarit në “Elbasan Arena” në një ndeshje ku “Të Kuqtë” kaluan në pjesën e parë në avantazh me Telushin, ndërsa në të dytën golat e Filit dhe Hoxhës përmbysën gjithçka.

Partizani ishte qartësisht dominues në pjesën e parë. E nisi në mënyrë perfekte ndeshjen duke u pozicionuar në gjysmë-fushën e Luftëtarit. Duhet theksuar se era ishte prezente dhe ndikoi shumë në lojën ajër.

Në minutën  e 16’-të ishte Rubin Hebaj që pati shansin e artë për të shënuar, por pasi shmangu portierin Bakaj, gjuajtja e tij u ndal nga mbrojtësi Hoxha, që u pozicionua pranë shtyllës. 

Në vijim është Asani që provon të shënojë nga goditja e dënimit, por topi kalon mbi traun e portës.  Goli do vijë 3 minuta para fundit të pjesës së parë, Bruno Telushi lëshon një predhë nga jashtë zone që shtang portierin dhe 1-0.

Në pjesën e dytë skuadra gjirokastrite përfiton të gjejë golin e barazimit me një goditje standarde që harkohet në zonë dhe topi i del Realdo Filit, i cili shënon nga pranë portës duke mposhtur portierin Hoxha.

Partizani kërkon të gjejë golin e fitores me gjuajtjen e Telushit nga një goditje dënimi, dhe më pas me një thembër të Çinarit, por pa sukses. 9 minuta para fundit është Malaj që godet me kokë, por Ridvan Bakaj bëhet hero dhe pret gjuajtjen e tij.

Në minutat e fundit Açka pati shansin e artë për të shokuar Partizanin, por goditja e tij përfundoi pak mbi traun e portës.

Në limitet e kohës së rregullt është Hoxha që shfrytëzon më së miri një top të lënë para porte nga një goditje këndi dhe mposht portierin e Partizanit, i cili u bë protagonist me një pritje shpëtimtare. Ndërkohë që një minutë para golit Belica u bë hero duke larguar me kokë topin që po shkonte në rrjetë. Gjithsesi këto episode nuk e ndalën Luftëtarin për të marrë një fitore të rëndësishme, që i bën ta presin ndeshjen e kthimit në kusht komode.

KUPA E SHQIPËRISË – FAZA ÇEREKFINALE
E martë, më 12 mars, ora 14:00
Stadiumi “Elbasan Arena”, Elbasan
PARTIZANI-LUFTËTARI 1-2
Shënues: 
Telushi 42′ / Fili 54′, Hoxha 90′

Partizani: Hoxha, Ibrahimi (Mensah 74′), Rexhepi (Duka 46′), Belica, Trashi, Atanda, Telushi. Asani, Bardhi, Mala, Hebaj (Çinari 59′). Trajner: Skënder Gega

Luftëtari: Bakaj, Açka, Hoxha, Koconis, Xhekson, Ramadani, Neziri (Dunga 72′), Ymeraj, Demo, Fili, Hanti. Trajner: Julian Ahmataj
Gjyqtarë:
Klodian Shahini, Fatmir Lamaj, Alfred Shkreta, Andi Koçi
Delegat: Lysien Nurishmi; Vëzhgues: Pajtim Aliko

Lajme të tjera

Lajmet e fundit