Pa trajner dhe gjysmagjel, por Skënderbeu nis sezonin dhe habit tifozët!

27 Korrik 2019
10:18
back button

Skënderbeu është në ditët më të zeza të dekadës së fundit, sepse pas shumë vitesh mbushur me trofe e suksese, në fushë e në aspektin financiar, tashmë situata është dramatike.

Dënimi nga UEFA me 10 vite pa pjesëmarrje në kupat e Europës, për trukime, ka bërë që në Korçë të pllakosë zia, ndërkohë që presidenti Ardjan Takaj e ka thënë troç: “Skënderbeun nuk e mbaj dot sa për fasadë. Do marr ekip tjetër, për të vijuar në rrugën e Skënderbeut, gjithnjë në Korçë”.

Tashmë është fakt që Takaj kërkon Dinamon, me Skënderbeun që pritet të përjashtohet nga Kategoria Superiore, një skenar filmi alla-Oktapodi, por në Shqipëri jemi me gjithçka, aq sa edhe vetë tifozët e Skënderbeut, një pjesë e tyre, sillen sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe premtojnë mbështetje për Takajn, nuk ka rëndësi klubi.

Ndërkaq, mes gjithë kësaj rrëmuje, Skënderbeu tenton të vijojë punën normalisht, edhe pse pa trajner dhe me një skuadër të përgjysmuar, sepse thuajse gjithë titullarët janë larguar.

Me një njoftim të shkurtër, klubi lajmëron në Facebook se të hënën do të nisin përgatitjet në Durrës, në kompleksin Tropical. Një sinjal i fortë që Takaj nuk e lëshon as Skënderbeun, por nga ana tjetër tifozët me të drejtë ngrenë pikëpyetjen pse faza përgatitore nuk zhvillohet në klimën e shkëlqyer korçare, ndërsa ka edhe ironi, me dikë që pyet: “Me çfarë emri do e nisë stërvitjen Skënderbeu?”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit