“Po çka po ndodh kështu?” Ja si u “çart” komentatori kosovar te goli i Berishës (video)

11 Shtator 2019
10:18
Alfred Lleshi
back button

Kosova tregoi sërish se është një kombëtare e fortë. Pavarësisht se pësoi 5 gola brenda 45 minutavë ndaj Anglisë, në fushën e kësaj të fundit, ia doli ta tundë plot tri herë rrjetën e vendësve. Dy herë Valon Berisha dhe një herë Vedat Muriqi i ngritën peshë zemrat e shqiptarëve, kudo që jetojnë e punojnë. Me siguri, në delir ishin edhe ata tifozë, që nuk ngurruan t’i mbështesin “Dardanët” në “St Mary’s”. Entuziasmi ka qenë i pa pakufishëm edhe te komentatorët kosovarë të ndeshjes, që nuk u kanë besuar syve në golin e parë, i cili ka dalë në dritë vetëm 50 sekonda pas fillimit të sfidës kualifikuese. 

Njëri ndër ta, që ka bërë xhiron e botës me shpërthimin ekzaltues në rastin e golave të Shaqirit dhe Xhakës në finalet e “Rusia 2018”, në fitoren e Zvicrës ndaj Serbisë, Andin Lokaj, nuk e ka përmbajtur veten. Ai dëgjohet të pyesë i “çartur” në momentin e golit të parë të Berishës: “Gooooool, Berishaaaaaaa, Berishaaaaa, po çka po ndodh kështu? Vetëm 50 sekonda dhe çmenden kosovarët. Nuk jemi normalë ne, të nderuar teleshikues…” Ole-ja e tij dhe me siguri e krejt shqiptarëve në atë moment ka qenë e gjatë dhe unike. Ky moment i komentatorit kosovar është bërë “viral” në rrjetet sociale të kontinentit, por edhe media të ndryshme, duke “rivalizuar” në njëfarë mase shpërthimin e çmendur të Bernard Challandes në konferencën për shtyp para sfidës me Republikën Çeke (Go…. Go).   

Lajme të tjera

Lajmet e fundit