Rikthehet Kupa e Shqipërisë, Partizani dhe Skënderbeu në prova zyrtare për 2019-ën

22 Janar 2019
10:09
Alfred Lleshi
back button

Futbolli shqiptar rikthehet zyrtarisht në veprim për vitin 2019. Pas pushimeve të festave të fundvitit të kaluar, zhvillimit të fazës përgatitore dimërore, skuadrat e Superiores dhe të Kategorisë së Parë do ta ngrohin atmosferën në disa prej stadiumeve të vendit. Fjala është për 1/8 finale (raundi i dytë) të Kupës së Shqipërisë, turneut të dytë kombëtar për nga rëndësia, prej nga lakmohet edhe një tjetër “dritare europiane”. Sot do të luhen dy sfida, me start orën 14:00. Në “Redi Maloku” të Fushë-Krujës, Kastrioti do të presë “demat e kuq”. 

Dy palë me qasje krejt të kundërta, sepse Partizani është kryesues i Superiores për momentin, synon titullin kampion, por nuk lë pas dore edhe Kupën e Shqipërisë. Në “llogoren” tjetër janë krutanët, që pasi kanë ndërruar dy trajnerë deri më tani, mision të vetëm kanë qëndrimin mes më të mirëve të vendit. Fundi i klasifikimit është “fotografia” e tyre aktuale, ndaj vështirë të besohet se ushqejnë ndonjë iluzion për të përparuar në Kupë. 

Në të njëjtën orë, në Lezhë do të nisë ballafaqimi Besëlidhja-Skënderbeu. Vendësit mund të tentojnë ndonjë surprizë në këtë raund, të frymëzuar nga ajo që i bënë Partizanit në të kaluarën e afërt, por mundësitë nuk premtojnë shumë për këtë. Aq më tepër që kampionati (në Kategorinë e Parë) është “kungulli” i vetëm, që mund të mbajnë “nën sqetull”. 

Skënderbeu i Orges Shehit, me jo pak probleme në ndeshjet e dhjetorit të kaluar në Superiore, ka rastin të tregojë se do të paraqesë tjetër fytyrë më 2019, që në start. Duke qenë të zhbilancuar disi në klasifikimin e kreut, rrjedhimisht edhe në garën për titull, ndoshta korçarët do t’i përqendrojnë forcat në këtë kompeticion, për të mos dalë pa trofe. Edhe pse joshja e madhe europiane nuk i grish fort për këtë, sepse janë të pezulluar nga UEFA. 

Më poshtë mund të njiheni me gjyqtarët e dy ndeshjeve të sotme, por edhe me kalendarin e plotë të sfidave të këtij “stacioni” të garës, që do kompletohet nesër:  

Kastrioti-Partizani
 
Gjyqëtarë: Olsid Ferataj, Enea Pashaj, Nuri Rrapaj

Besëlidhja-Skënderbeu
 
Gjyqtarë: Olsi Sokoli, Alfred Shkreta, Arber Zalla

Lajme të tjera

Lajmet e fundit