Shehi: Presim Kukësin me “këmbën në gaz”, penalltia ishte inekzistente

2 Mars 2019
19:10
Eraldo Harlicaj
back button

Një barazim "in-extremis" ndërmjet Teutës dhe Skënderbeut 2-2 që fal emocione të shumta. Durrsakët dhe korçarët dhuruan një ndeshje të bukur dhe 90 minuta për t'u shijuar, por natyrisht trajnerët e kanë përjetuar më shumë. Trajneri Orges Shehi është i kënaqur me faktin se ekipi reagoi dhe duket se po tregon atë shpirt gare që i ka munguar. 

Barazimi – "Jam i kënaqur, pasi e mbyllëm pjesën e parë me disfatën e një goli pas penalltisë së akorduar. Në të dytën e nisëm me pësimin e një goli, por më vjen mirë që na u kthye shpirti i garës". 

Pika e kthesës? – "Sigurisht që është një pikë me vlera për sa i përket vazhdimësisë. Jemi ndëshkuar nga mospërqëndrimi dhe nga Tirana. Kam kërkuar përqëndrim maksimal. Shpresoj të jetë pikënisje për të rikthyer atë Skënderbe që duam". 

Penalltia – "Nuk besoj se thotë dikush që ky rast është penallti. E pashë që në fushë dhe lojtarët ishin të revoltuar, por u kërkova qetësi". 

Loja – "Më pëlqeu loja dhe grinta dhe jo vetëm fakti që morëm pikë. Ne kemi humbur shumë pikë në fund. Nuk na bëhet gjë e madhe se morëm pikë në fund. Kemi përpara kundërshtarë të fortë përpara. Më vjen mirë që është Kukësi përpara që nuk na lejon të ulim ritmin". 

Episodet – "Ne na kanë ndëshkuar episodet. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë futbollin që unë dua. Dua të luajmë rrjedhshëm dhe me logjikë. Do të mbrohemi lart, jo në metrat e fundit". 

Gabimet në qendër të mbrojtjes – "Ne kemi improvizuar në mbrojtje. Pas ikjes së Alitit provuam Pëllumbin. Kishim probleme dhe me dëmtimet, por dhe për faktin që duhet të ndërrojmë lojtarë të huaj. Kemi gabuar dhe në vendosje nga dëshira për të fituar ndeshjet". 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit