Shkëmbi: Kaluam një dramë të madhe, nesër të fitojmë për Durrësin

7 Dhjetor 2019
14:45
Alfred Lleshi
back button

Nesër, në orën 18:30, në “Niko Dovana” do të luhet ndeshja mes Teutës dhe Skënderbeut. Pikërisht ajo fushë, që u mbush me të pastrehë e njerëz të traumatizuar nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit, do t’i rikthehet jetës së futbollit. Me siguri, rrënojat e pallateve aty pranë, të shembura nga kjo fatkeqësi natyrore, bashkë me jetët e humbura të 52 shqiptarëve, do t’i rëndojë këmbët e futbollistëve durrsakë. Ata vetë kanë kaluar një dramë të jashtëzakonshme, por profesioni e do që ta kthejnë dhimbjen në forcë. Një fitore do të ishte ngushëllimi më i paktë në këto momente për qytetin bregdetar, i cili gdhihet e zgjohet më i pashpresë se kurrë.

Këtë situatë surreale e ka nënvizuar edhe trajneri Bledi Shkëmbi në konferencën e sotme për shtyp, në prag të ndeshjes me Skënderbeun: “Ka qenë një moment i vështirë për të gjithë lojtarët dhe qytetin e Durrësit. Dita-ditës kemi punuar, kemi qenë bashkë dhe shpresoj se kemi bëmë më të mirën në aspektin psikologjik. Periudha e pushimit nuk ndikon mirë për të gjitha gjërat. Pushimi ishte i diktuar nga ajo tragjedi që ndodhi, por ka shërbyer që të rikuperojmë ndonjë lojtar. Ky qytet duhet të bashkohet për ta kaluar këtë situatë. Klubi dhe futbollistët janë solidarizuar për ta bërë sa më pak të dhimbshme këtë moment tragjik. 

Shpresojmë që tifozët, të paktën nesër, të afrohen dhe të jenë të shumtë për të na mbështetur. Kështu solidarizohemi bashkërisht me këtë situatë të vështirë, që po kalon ky qytet. Tërmeti kishte lënë pasoja edhe te futbollistët. Ditën e parë e kuptova shumë mirë se çfarë kishte ndodhur në mendjen e lojtarëve. I pashë të shokuar. Pashë një ekip ndryshe, jo të përqendruar te stërvitja, por tek ajo që ndodhi. Ditët e fundit kam kosntatuar tjetër dëshirë e përqendrim, një ekip që është fokusuar te stërvitja. 

Uroj të jetë hera e fundit që ndodh një situatë e tillë. Ka qenë shumë e vështirë në ditët e para. Skënderbeu? Pres një ndeshje të vështirë, duhet të kemi motivim të madh për të fituar. Luajmë ndaj një kundërshtari që po paraqitet shumë mirë, e kam thënë shumë herë këtë. Duhet të gjejmë motiv edhe më të madh për të marrë tri pikët. Skënderbeu vjen pas një periudhe të mirë, me rezultate pozitive, por ne mendojmë të marrim maksimumin”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit