Skënderbeu rregullon një defekt, gjen organizator

12 Janar 2019
11:52
back button

Skënderbeu nuk ka bërë ende lëvizje në merkaton e janarit, duke pritur rastin e duhur për të afruar ndonjë lojtar cilësor, ndërsa tashmë duket se e ka gjetur një të tillë.

Ditët e fundit mesfushori nga Kosova, Xhevdet Gela, ka qenë në bisedime me disa klube në Superiore, por garën e ka fituar Skënderbeu, që ka kënaqur edhe kërkesat financiare të futbollistit, i cili nuk është i lirë.

Bëhet fjalë për një futbollist 29-vjeçar, i rritur në Finlandë, ku luan prej më shumë se një dekade, ndaj aventura shqiptare është e dyta për të jashtë Finlandës si futbollist, pas pak muajsh në Poloni tek Widzew Lodz, në fillim të vitit 2014.

Mesfushori organizator, mjaft teknik dhe i zoti me gjuajtjet nga distanca, Gela shënon disa gola çdo sezon, por mbi të gjitha te Skënderbeu e duan për të marrë përsipër organizimin e lojës, rol ku janë përshtatur nga halli lojtarë të ndryshëm dhe vetëm Muzaka e ka bërë si duhej.

Sezonin e shkuar Gela ishte titullar te Lahti, ndërsa para ndërrimit të viteve firmosi për HIFK po në Finlandë, klub ku ka luajtur edhe në vitet 2016 e 2017.

Gjithsesi, Gela kishte marrëveshje për prishje kontrate me HIFK në rast oferte nga jashtë dhe tani gjen marrëveshjen me Skënderbeun. Brenda pak ditësh priten firma dhe prezantimi në Korçë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit