Thellohet lufta Duka-Ylli. Presidenti i KOKSH shpërthen në akuza të forta

12 Maj 2021
9:46
Alfred Lleshi
back button

Përplasjet verbale dhe ligjore nisën që para zgjedhjeve të fundit në KOKSH. Megjithatë, Fidel Ylli u zgjodh president i ri i “ombrellës” së sporteve në Shqipëri. Pati kontestime të ndryshme, por më të zëshmet ishin ato të FSHF-së. Madje, dje u zbulua se ankimet e institucionit që drejtohet nga Armand Duka kanë shkuar deri në CAS-in e Lozanës.

Atje kërkohet pavlefshmëria e zgjedhjeve të fundit në KOKSH dhe bërja “nul” e organeve të reja drejtuese. Pra, FSHF nuk i beson më drejtësisë shqiptare, por e kërkon zgjidhjen jashtë kufijve, ku përfundojnë shumë institucionet sportive për mosmarrëveshje të ndryshme. Lidhur me këtë “padi” ka reaguar Fidel Ylli:

“Që të padisë Armand Duka për parregullsi zgjedhjet për organet drejtuese të një institucioni sportiv (KOKSH në këtë rast) është një hipokrizi e shkallës superiore, një çudi që ia vlen të tregohet gjatë si barsaletë nëpër kafene.

Ironike dhe akoma më qesharake është akuza e këtij njeriu për ndikim të politikës apo qeverisë në KOKSH, i cili:
• ka bërë të pamundur regjistrimin e asnjë kandidati që nuk quhet Armand Duka.
• refuzon në mënyrën më cinike të pranojë modelin e propozuar nga FIFA/UEFA për kufizimin e numrit të mandateve.
• mbush Asamblenë Zgjedhore me njerëz të panjohur nga subjekte të paregjistruara.
• sa herë i rrezikohet posti thërret në ndihmë forcën politike të radhës.
• në mënyrën më të paprinciptë dhe egoiste ka uzurpuar çdo pushtet dhe çdo organ të FSHF.
• abuzon me stafin dhe kompetencat e FSHF duke i vënë në funksion të fushatave elektorale në favor të interesave të familjes
• e shumë të tjera që do t’i themi kur të vijë koha…

Ai i jep tani vehtes të drejtën që të vërë drejtësi në sportin shqiptar… O tempora! O mores!!!
Po mirë ka bërë. Le të hapet më në fund dhe Kutia e Pandorës dhe të shohim se çdo të ndodhë.

Vetëm një gjë ta dijë mirë: Nuk ka për ta penguar dot më sundimin e ligjit në futboll dhe në sport. KAS i Shqiperisë do të marrë shumë shpejt të gjitha përgjegjësitë që i jep ligji edhe mbi futbollin, do apo s’do Armand Duka. Koha e FSHF private ka mbaruar. Asnjë nuk do të mund të qëndojë më mbi ligjin.

I uroj suksese me padinë në CAS, duke përdorur paratë e FSHF”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit