Tragjedia në atletikë/ Ndërron jetë pas një aksidenti rekordmeni i maratonës, ishte 24 vjeç

12 Shkurt 2024
8:57
Telesport
back button

Një ngjarje e rëndë ka prekur sportin e atletikës. 24-vjeçari kenian Kelvin Kiptum, rekordmeni i garës së maratonës për meshkuj, ndërroi jetë pas një aksidenti automobilistik së bashku me trajnerin e tij, ruandezin Gervais Hakizimana.

Ngjarja e rëndë ndodhi në Kenia, në rrugën nga Kaptagat për në Eldoret. Sipas rikonstruksioneve fillestare, vetë Kiptum ishte duke i dhënë makinës dhe asnjë automjet tjetër nuk ishte i përfshirë në aksident. Lajmi është konfirmuar nga familjarët dhe autoritetet lokale.

Trupat u transportuan në morgun në Eldoret, ndërkohë që Kiptum ka lënë pas gruan dhe dy fëmijët, 4 dhe 7 vjeç. Atleti nga Kenia, vitin e kaluar vendosi rekordin e botës në garën e maratonës, me kohën 2h00’35”, në maratonën e Çikagos.

Atleti pat premtuar se këtë vit do të vendoste një tjetër rekord botëror, duke zbritur nën 2 orë, por kjo mbeti një premtim. Kiptum kishte si objektiv ta realizonte këtë gjë në Olimpiadën e Parisit, që zhvillohet këtë verë. Një karrierë që do të kishte qenë edhe më e jashtëzakonshme, e ndërprerë nga aksidenti i tmerrshëm rrugor.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit