Ujkani rrëfehet për “Marca”: Humba gjysmën e familjes në luftë, ja si na shpëtoi babai

30 Mars 2021
11:22
Alfred Lleshi
back button

Samir Ujkani (05.07.1988) lindi në Vushtrri. Shumë nga njerëzit që e panë atë të mbërrinte në këtë botë u zhdukën nga duart e trupave serbe në masakrën që mban emrin e atij qyteti në veri të Kosovës. Kjo ndodhi midis 2 dhe 3 majit 1999. Samir kishte qenë në Belgjikë për vite me radhë, sepse babai i tij ishte me fat, një engjëll mbrojtës i papritur që i paralajmëroi ata të iknin përpara se lufta e egër të shpërthente në këtë pjesë të Ballkanit.

Samir lindi në Kosovë, por u rrit në Belgjikë. Si ndërkombëtar e nisi me Shqipërinë dhe më 2014, kur FIFA e lejoi atë, ndryshoi fanellën, duke veshur atë kosovare. Para përballjes me Spanjën në Seville, portieri dhe kapiteni i Kosovës flet me “MARCA” për një histori në të cilën futbolli është i përzier me luftë, vdekje… dhe dëshirën për të shijuar faktin që sporti bashkon.

Pas çdo lojtari të Kosovës ka një histori të jashtëzakonshme. Cila është e jotja?
Unë kam lindur në Kosovë, e cila i përkiste Jugosllavisë. Në vitin 1994 kemi ikur për shkak të luftës. Arritëm në Belgjikë. Unë jam rritur atje dhe mund të zgjidhja të luaja për kombëtaren belge. Zgjodha të luaj për Shqipërinë, sepse familja ime është shqiptare e Kosovës dhe Kosova nuk ekzistonte si shtet. Kam luajtur 20 lojëra me “shqiponjat”. Por për mua, të luaja për vendin tim, ishte një ëndërr, kështu që kur Kosova u njoh si vend, menjëherë nisa procedurat për të ndryshuar ekipin. Isha i pari që e bëra këtë, edhe sikur të luaja vetëm miqësore.

A kishte më shumë prapa kësaj zgjedhjeje?
Po. Unë kisha humbur të afërm në luftë, kisha parë kaq shumë gjëra të dhimbshme. Kaq shumë njerëz vuanin për njohjen e vendit, saqë doja të ndihmoja për të dhënë një imazh pozitiv të Kosovës dhe njerëzve të saj. Ky është një nga objektivat e ekipit kombëtar, të brezit tone: t’i tregojmë botës mentalitetin tonë, traditat tona, se njerëzit e Kosovës janë mendjehapur, të kujdesshëm…, njerëz të mirë. Dhe futbolli e ndihmon këtë. Kjo duhet të jetë trashëgimia jonë.

Çfarë ndodhi me familjen tuaj në luftë?
Kam humbur dy xhaxhallarët dhe gratë e tyre, gruan e kushëririt tim me vajzën. Me pak fjalë, ato janë histori të vështira që ndodhin në luftëra. Ne humbëm gjithçka, sepse të gjitha shtëpitë e familjes sime në qytet u rrafshuan, u dogjën. Familja ime duhej të fillonte nga e para. Babai im ishte në gjendje të na çonte në Belgjikë, një vend të cilit i detyrohem shumë. Ne ishim njerëz pa shtëpi, pa punë, si shumë kosovarë të tjerë në Europë, por atje na ndihmuan shumë.

Si shpëtoi babai juaj?
Para luftës e akuzuan babanë tim për diçka që kurrë nuk e bëri. Për fat të mirë ishte një gjykatës serb, një njeri i mirë që i tha: Arratisu, sepse ajo që vjen është lufta. Ne ishim aq me fat, që babai e dëgjoi. Një vit më vonë ndodhi ferri, por tashmë ishim në Belgjikë. Shumë të afërm nuk donin të largoheshin, sepse kjo do të thoshte të linin pas gjithçka për të cilën kishin luftuar në jetën e tyre: tokat, shtëpitë, familjet… Babai im tha që nuk i interesonte, se nuk do të rrezikonte gruan dhe djemtë e tij.

Dhoma e zhveshjes e kombëtares së Kosovës është një përmbledhje e tregimeve të jashtëzakonshme, asgjë që ka të bëjë me çështjet që mund të diskutohen në një gjuhë si spanjishtja…
Po, është e vërtetë, ne jemi një brez që jemi rritur midis luftës dhe mërgimit. Tani kemi të rinj në ekip, që kanë pasur fatin të lindin jashtë vendit. Por, ata që kanë lindur në Kosovë, prej të cilëve ka shumë, ndiejnë një krenari të veçantë si kosovarë.

Çfarë mendoni kur flisni për futbollin si diçka në emër të jetës dhe jo vdekjes?
Ajo që duam është të argëtohemi duke luajtur futboll. Ne duam të luajmë futboll, të mos bëjmë luftë ose të pretendojmë ndonjë gjë. Duam të rritemi, që Kosova të përflitet për futbollin e mirë që luan. Duam të argëtohemi dhe nëse mund të fitojmë, sigurisht është edhe më mirë.

A ju zemëron gjithçka që u tha për mënyrën se si duhet të luhet ndeshja e Seville?
Sporti, për fat të mirë, është më i fortë se politika. Gjithçka ka shkuar mirë. Kundër Ukrainës na u desh të luanim në Poloni. Sporti hap dyert, bashkon vendet dhe njerëzit. Me të gjitha problemet që ka kjo botë, futbolli duhet të shërbejë si lehtësim, qetësi.

Me gjithë atë që vlen, nuk ka rëndësi të flasësh për Spanjë-Kosovë…
Ne duhet të flasim për futbollin, për jetën.

Çfarë do të thotë për Kosovën të luajë kundër Spanjës?
Një ndeshje historike kundër një fuqie botërore në futboll. Një nder. Ne kemi besim se do të lëmë një imazh të mirë nga kjo ndeshje.

Është hera e dytë që luani kundër një kampioni bote. Ju humbët herën e parë, por shënuat tre gola në “Wembley”: 5-3 ndaj Anglisë, më 2019…
Po! Ishte bukur, por humbëm. Çdo lojë është një histori e ndryshme. Le të shohim se si shkon në Seville. Me këtë pandemi është e vështirë për të gjithë, veçanërisht për ne që jemi një vend i vogël. Nuk kemi qindra lojtarë për të zgjedhur. Nëse na mungojnë tre ose katër lojtarë…, nuk është si Spanja, për të cilën Luis Enrique thotë se menaxhon një listë me më shumë se 70 futbollistë.

Çfarë objektivi ka Kosova në grup?
Le të shohim. Për të bërë diçka kundër Spanjës, na duhet një mrekulli, sepse është favorite, pa dyshim. Qëllimi ynë është të ngjitemi sa më lart. Ky është mentaliteti ynë. Ne jemi një ekip në fillimet e veta, me pak përvojë, por pak nga pak lojtarët tanë po sistemohen në klube dhe kampionate më të mira. Niveli ynë është të luftojmë me Greqinë, jo me Spanjën. Duam të argëtohemi dhe të shohim se çfarë do të ndodhë.

Cilin lojtar nga Spanja evidentoni?
Është e pamundur të zgjedhësh një! Unë nuk mund të jap një emër, por do t’u bëja një listë, nëse dëshironi. Një brez shumë i mirë i të rinjve po vjen. Ju e identifikoni Spanjën me futbollin e bukur. Mezi presim të luajmë kundër jush.

Ju jeni një portier. Çfarë mendoni për De Gea dhe kritikët e tij në Spanjë?
Është një portier i shkëlqyeshëm. Një që ka mbrojtur portën e Manchester United për kaq shumë kohë nuk ka nevojë për komente. Të qenit portier dhe kritikat shkojnë krah për krah. Kur mbërrita në Itali, thashë me vete: Nëse e kritikojnë Buffon ashtu, çfarë do të thonë për mua? Më dukej e pabesueshme.

Cilët kanë qenë portierët tuaj të referencës?
Idhulli i parë ka qenë Gianluca Pagliuca. Kur u rrita, Casillas, me pritjet e tij në Ligën e Kampionëve. Në Spanjë e kanë kritikuar gjithashtu Iker! Çdo portier gabon, si pjesa tjetër e lojtarëve dhe njerëzve.

Për ta përfunduar…, si është futbolli pas dyerve të mbyllura?
Është delikate, e di, por mezi po pres të kthehem të luaj me stadiumet plot. Publiku të jep gjithçka. Futbolli është një sport për njerëzit. Stadiumi ynë është i vogël, por njerëzit të japin diçka shtesë, diçka që nuk mund të matet. Shpresojmë që kjo pandemi të mbarojë së shpejti, kjo është gjëja më e rëndësishme.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit