VIDEO/ Spektakël në Durrës, Teuta i bëhet makth Cungut!

12 Mars 2019
18:55
back button

Teuta ka pritur Kukësin në ndeshjen e parë të çerekfinales së Kupës së Shqipërisë, me takimin e zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës. Ndeshja është mbyllur me rezultatin 2-2. 

Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me avantazhin e miqve, të cilët shënuan në fund të pjesës së parë me Reginaldon.  Një top i humbur nga lojtarët e Teutës, bën që rivalët e Kukësit të marrin topin dhe të nisen drejt zonës. 

Është Eduart Rroca niset në krahë, duke gjuajtur në qendër të zonës, aty ku Reginaldo gjuan drejt portës duke mposhtur Isli Hidin.  Ky gol bëri që në pankinën e Kukësit të shpërthente festa, ndërsa Teuta u kap në befasi pasi bëri ndeshje të mirë në 45` e para. 

Pjesa e dytë nis me tjetër ritëm për durrsakët, të cilët kërkojnë golin e barazimit që në nisje të lojës. Arapi pati një shans të shkëlqyer në minutën  e 48`, por nuk arriti të shndërronte në gol një top të ardhur nga goditja e këndit, pasi devijimi nuk ishte i saktë. 

Mirëpo është Kukësi që dyfishon, pasi skuadra e Armando Cungut, gjen golin me Vasil Shkurtajn në minutën e 52`. Një aksion perfekt i Ethemit që futet në zonë dhe i shërben sulmuesit shtatlart të Kukësit, që i vetëm përballë portierit e ka të lehtë të dërgojë topin në rrjetë, ndërsa shifrat shkojnë në 0-2. 

Teuta mundohet të reagojë duke kërkuar ngushtimin e shifrave, por sulmi i “djemve të detit” gabon disa raste të pastra në finalizim, ndërsa për miqtë është Frashëri që bën heroin me pritjet e tij. 

Rroca në krahun tjetër mund të kishte realizuar golin e karrierës mbrëmjen e sotme, nëse një predhë e tij nga jashtë zone nuk do të ishte ndalur nga shtylla e dytë në minutën e 66`.

Dhjetë minuta më vonë, Sherif Kallaku bën të njëjtën gjë nga goditja e dënimit për Teutën, duke tentuar rrjetën me një gjuajtje spektakolare, por është traversa që e ndal.

Teuta ka barazuar ndeshjen në minutën e 85` me anë të Tomislav Bushic, i cili merr një top nga jashtë zone. Në dyluftim me Shametin, sulmuesi kroat arrin të kthehet drejt portës duke gjuajtur, topi devijohet pak nga Krasniqi, ndërsa Frashëri s`mund të bëj asgjë për t`a ndaluar. 

Goli i Bushic riktheu Teutën në lojë, e cila beson tashmë se mund të bëjë përmbysjen e madhe. Kështu ndodh, një rrëmujë në zonë një minutë para përfundimit të kohës së rregullt, bën që Esin Hakaj të gjejë golin duke i dhënë një shans Teutës për të shpresuar ende te kualifikimi në gjysmëfinale.

Ky gol vulosi shifrat në barazim 2-2, ndërsja kjo ishte përmbysja e radhës e Teutës në pak javë ndaj Kukësit. 

KUPA E SHQIPËRISË – FAZA ÇEREKFINALE

E martë, më 12 mars, ora 17:00

Stadiumi “Niko Dovana”, Durrës

TEUTA – KUKËSI  2-2

Bushic 85`, Hakaj 89`/ Rexhinaldo 45′, Shkurtaj 53′

Teuta: Hidi, Frashëri (Avdyli 65′), Osmani, Arapi, Hakaj, Sidibe, Kallaku, Progni (Vecaj 46′), Traore (Gashi 72′), Latif, Bushiç.

Trajner: Bledi Shkëmbi

Kukësi: Frashëri, Maliki, Shameti, Krasniqi, Teqja, Rroca (Xhemaili 75′), Dzaria, Limaj, Ethemi (Rama 63′), Çyrbja, Rexhinaldo (Shkurtaj 47′). 

Trajner: Armando Cungu

Gjyqtarë: Enea Jorgji, Dojando Myftari, Ermal Barushi, Olsi Sokoli

Delegat: Astrit Maçi; Vëzhgues: Plarent Kotherja

Kartonë të verdhë: Frashëri 60’

Lajme të tjera

Lajmet e fundit