Video: Tirana hedh në tapet Laçin, bardheblutë me një këmbë në gjysmëfinale

13 Mars 2019
18:54
Eraldo Harlicaj
back button

Tirana ka marrë një fitore mjaft të rëndësishme me rezultatin 3-0 kundër Laçit. Ekipi bardheblu kalon me një këmbë në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë pas kësaj fitoreje në ndeshjen e parë të turit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Michael Ngoo me dy golat e tij dhe asistin për rrjetën e Hasanit ishte njeriu i ndeshjes. 

Pjesa e parë nuk ishte aspak premtuese me të dy skuadrat që u shfaqën shumë të brishta në fushën e lojës. Abibi dhe Selmanin ishin spektatorë në 45 minutat e para dhe shkuan pa u lodhur në dhomat e zhveshjes. Ritmi ndryshoi në pjesën e dytë aty ku vendasit nisën marshimin drejt portës së Selmanit. 

Në minutën e  53' ishte Eni Imami që hodhi një top mjaft të bukur brenda zonës për Michael Ngoonë. Sulmuesi shtatlartë kërcen mbi mbrojtësit dhe me kokë e dërgon topin në rrjetë për 1-0. 

Kur mendohej përgjigjja e kurbinasve ishte sërish anglezi që dyfishon shifrat. Hasani i jep një top mjaft të mirë në zonë në minutën e 65'. Ngoo e mbron mjaft mirë sferën, rrotullohet me topin në këmbë dhe përshëndet rrjetën për 2-0.

Tirana nuk ul tempin dhe kërkon të mbyllë kualifikimin që në "Selman Stërmasi". Goli i Hasanit në minutën e 73' duket se ka qetësuar krejtësisht kampin bardheblu. Një aksion mjaft i mirë në krahun e djathtë me Cobbinahn si protagonist. Afrikani gjen Ngoonë brenda zonës që e përcjell te shkodrani. Hasani nuk gabon i vetëm përballë Selmanit për 3-0. 

Laçi u shfaq i pafuqishëm dhe nuk arriti të ngacmonte seriozisht portën e Abibit. Portieri arriti të neutralizonte si duhet dhe ata pak raste që u rrezikua nga laçianët. Tirana e mbyll ndeshjen me një fitore të rëndësishme me rezultatin 3-0 dhe duket se ka hedhur një hap të madh drejt gjysmëfinales. Laçi vazhdon krizën e rezultateve me trajnerin Prenga në krye të stolit.  

Lajme të tjera

Lajmet e fundit