Cungu: Reginaldo do të luajë, mund të gjejë zgjidhje me klubin

19 Janar 2019
19:15
Eraldo Harlicaj
back button

Trajneri i Kukësit, Armando Cungu, ka folur pas rikthimit nga faza përgatitore në Antalia të Turqisë. Numri një i stolit të verilindorëve nuk është prej atyre që i shmanget përgjegjësive, por flet hapur për to dhe sqaron dhe problematika që ka klubi nënkampion i Shqipërisë momentalisht. Shkodrani tregon fillimisht punën e bërë në fazën përgatitore.

"Kemi punuar shumë mirë dhe i kemi marrë maksimumin. Kushtet janë shumë të mira dhe nuk kishim dëmtime, përveç portierit Maloku. Kjo fazë na ndihmoi të harmonizonim më tepër grupin dhe me afrimet e reja si Vasil Shkurtaj dhe Eduart Rroca".

Çështja më delikate momentalisht për Kukësin mban emrin e Reginaldos. Sulmuesi mozambikas ka kaluar si zgjedhje e dytë dhe mund të ketë "xixa", pasi nuk e pranon stolin. 

"Unë kam respektuar dhe respektoj punën e Reginaldos. Ka ndihmuar shumë skuadrën dhe synon të jetë zgjedhje e parë. Ai është pjesë e kombëtares dhe kërkon të luajë. Gjithsesi, unë do të bëj zgjidhjet më të mira në favor të klubit. Një profesionist, duhet të respektojë zgjedhjet e trajnerit. Askush nuk mund të më vendosë kushte mua. Askush. Nëse gjendet një zgjidhje tjetër mes tij dhe klubit unë do e mirëpres". 

Tekniku pranon hapur se nuk i sheh se Reginaldo dhe Shkurtaj mund të luajnë të dy së bashku në formacion. "Nuk mund të flas para kohe, por për momentin, nuk e shoh një sulm me dy. Kemi shumë ndeshje në kampionat dhe në Kupë, prandaj të gjithë do të luajnë".

Titulli kampion dhe kërkesat e presidentit Safet Gjici mbeten rendi i ditës në kampin e verilindorëve. "Presidenti është shumë ambicios. Ai do gjithmonë titullin. Më shumë se ai e dua unë, pasi nuk e kam shijuar kurrë, vetëm kupën dhe superkupën. Shpresoj që këtë herë ta fitoj me Kukësin".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit