Dhuna në stadium, arrestohet presidenti i Kamzës

3 Mars 2019
21:13
back button

Vetëm pak orë pas skandalit në stadiumin e Kamzës, ku barazimi i vendasve me rezultatin 1-1 ndaj Laçit, është shoqëruar me dhunën e tifozëve dhe drejtuesve të skuadrës pritëse, që uzurpuan fushën dhe goditën arbitrin Hamiti, Policia e Shtetit ka njoftuar arrestimin në flagrancë të 4 shtetasve, mes të cilëve edhe të presidentit Naim Qarri.

“Tiranë Policia arreston në flagrancë 4 shtetas për ngjarjen e ndodhur në ndeshjen e futbollit Kamza – Laçi. Shërbimet e Policisë të Komisariatit të Policisë Nr 5, falë reagimit të shpejtë dhe në kohë bënë kapjen dhe arrestimin e shtetasve: – N.Q., President i Klubit Kamëz; – A.M., Drejtor Sportiv i Klubit Kamëz; – A.B., Shefi i Klubit Sportiv Kamëz; – E.Gj., tifoz”, është lajmi i bujshëm që komunikon Policia e Shtetit. 

“Gjithashtu nga verifikimet e bëra rezulton se si autorë të dyshuar për dhunën e ushtruar ndaj gjyqtarit të ndeshjes, dyshojet se janë dhe shtetasit: B.Q., A.Q., A.Q. dhe K.Q., tifozë, të cilët janë shpallur në kërkim policor”, vijon deklarata. 

“Arrestimi i 4 shtetasve si dhe shpallja në kërkim e 4 të tjerëve u bë për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Prishje e qetësisë publike"”, sqarohet nga instancat shtetërore. 

“Më datë 03.03.2019, rreth orës 14.00 është zhvilluar ndeshja e futbollit Kamza – Laçi. Këtë ndeshje Komisariati i Policisë Nr. 5 Tiranë nuk e ka marrë përsipër, pasi nuk janë zbatuar detyrimet dhe përgjegjësitë sipas përcaktimeve të ligjit 79/2017 datë 27.04.2017 “Për Sportin””, thuhet në komunikatë. 

“Megjithatë Komisariati i Policisë Nr. 5 Tiranë për sigurimin e rendit e sigurisë publike jashtë ambienteve të stadiumit, para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes, hartoi plan masash. Kjo ndeshje është marrë përsipër për sigurimin e nga SH.R.S.F. “Oktapus 1 Security”, të cilët kanë qenë në stadium me 12 efektiv të saj”, saktësiohet në komunikimin e policisë. 

“Në përfundim të kësaj ndeshje një punonjës i SH.R.S.F., i cili ishte në hyrjen kryesore të stadiumit hapi portën dhe kërkoj ndihmën e policisë, pasi disa tifozë kishin hyrë në fushë dhe kishin goditur arbitrin dhe punonjësit e SH.R.S.F-së”, sqaron policia. 

“Pas këtij njoftimi shërbimet e planizuara me shërbim sipas urdhrit të shërbimit, janë futur në ambientet e stadiumit, duke bërë të mundur marrjen në mbrojtje të gjyqtarëve dhe vendosjen e rendit e qetësisë, duke vazhduar me shoqërimin e personave të futur në fushë dhe ata të cilët kishin goditur gjyqtarin e ndeshjes”, vijon komunikata. 

“Në lidhje me sqarim e kësaj ngjarje janë shoqëruar edhe 14 shtetas të tjerë. Policia në bashkëpunim me Prokurorinë po vijojnë shoqërimet si dhe veprimet hetimore për vënien para përgjegjësisë ligjore të gjithë personave përgjegjës”, përfundon komunikata e Policisë së Shtetit.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit