Duro: Kam skuadër perfekte. Frikë për Mazrekaj, kjo ndeshje na sakatoi

20 Shkurt 2021
15:30
Alfred Lleshi
back button

Fitore minimale, edhe me vuajtje, por tri pikët janë tepër të çmuara. Shpëtim Duro po i gëzohert ecurisë së Laçit të tij, pa u zhbilancuar në garën e ethshme për titull. Pas triumfit 1-0 ndaj kastriotit, trajneri bardhezi tha: “Ishte ndeshje, që mund të mbyllej shumë thjeshtë. Kjo ishte e meta jonë, sepse shpërdoruam dhe kaluam në eufori, sidomos në pjesën e parë. 1-0 është rezultat pa garanci. Përballë kishim një kundërshtar, që nuk ka përgjegjësinë tonë. Na duhej fitorja për të mbajtur ritmin e kryesuesve, kjo ka më shumë rëndësi.

Jam i lumtur nga Laçi. Për mendimin tim kemi skuadër perfekte. Në 5 ndeshje kemi pësuar vetëm një gol dhe i kemi dominuar totalisht kundërshtarët. Shqetësohem vetëm për diçka sot, nga problemi i Mazrekajt. Ai ka kontraktim muskulor, edhe Deliu gjithashtu. Kjo ndeshje na ka sakatuar, por e rëndësishme është që mbajtëm ritmin. Momente tensioni? Edhe ne dalim ndonjëherë jashtë kontrollit, por arbitri më acaroi shumë. Në 30 minutat e para i dha Kastriotit 20 faulle, ndërsa neve asnjë. Kjo më acaroi.

Pjesën e dytë ishim më të kujdesshëm, por kishim mundësi ta mbyllnim ndeshjen. Skuadra më përgjigjet në të gjitha aspektet. Bashkëpunojmë mirë dhe e kuptojnë me sy mbyllur se çfarë kërkoj si trajner. Kemi konkurrencë në skuadër, por dënimi i Kyrian dhe dëmtimet e sotme do të na dëmtojnë, sepse janë lojtarë kryesorë. Bëhen shumë mungesa bashkë Mustën, me kartonë. Sidoqoftë, grupin e kemi dhe do t’i shkojmë çdo gjëje deri në fund”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit