Gega i zhgënjyer: I dhuruam tre gola Wolfsburgut, ja problemet tona

18 Shtator 2020
9:40
Alfred Lleshi
back button

Kishte më shumë pritshmëri, edhe pse kundërshtari meritonte të konsiderohej i frikshëm. Mjafton të thuash që është pjesë e Bundesligës, për të kuptuar se kë kishte përballë Kukësi në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Europës. Ëolfsburgu fitoi 4-0 në “Air Albania” dhe vazhdon përpara në këtë kompeticion. Skënder Gega bën analizën e asaj që ndodhi mbrëmë dhe kthen fletën nga sezoni i ri kombëtar, që pritet të nisë:

“Kush del nga fusha me 4 gola dhe nuk është i mërzitur?! Duhet të jesh realist me veten. Ne i dimë forcat dhe e dinim forcën e kundërshtarit. Gjithë kohën kam insistuar të mos dhuronim asgjë. Pa i hequr meritat Wolfsburgut, por i dhamë tre gola. Ishim të ndërgjegjshëm për forcën e kundërshtarit, por goli i tretë mbylli gjithçka. U mundova që në pushim t’i karikoja djemtë, duke u thënë se nëse vazhdonim me këtë ritëm do shkonte më keq.

Kemi disa probleme, kampionati do të fillojë shumë shpejt dhe duhet të përmirësohemi. Nuk do të thotë se luajtëm mirë ndaj gjermanëve dhe nuk kemi probleme në Superiore. Horic është një nga lojtarët më me eksperiencë, më vjen keq që i ndodhi atij. Nuk e prisja që t’i ndodhte, jam i zhgënjyer. Duhet të ishim më vigjilentë.

Gavazaj dhe Gashi janë premtues, prandaj u jap gjithmonë mundësinë për të luajtur me skuadrën. Kur ekipi krijoi ritëm, ata të dy bënë shumë mirë. Eze dhe Kuper janë të ngjashëm, janë njësoj. Ky është realiteti. I falënderova çunat për mundin dhe personalitetin.

Penalltia? Rroca po më kënaqte me lojën dhe e vendosën mes tyre lojtarët që ta gjuante ai. Ndodh që të humbësh një penallti, kjo iu ndodh të gjithëve. Mund t’i ndodhte edhe Eze, unë e di karrierën e tij dhe nuk është se nuk ka humbur ndonjëherë penallti.

E ardhmja? Me investimin që është bërë këtu besoj se jemi konkurrues për kampionatin. Është kampionat i gjatë dhe duhet t’i marrim ndeshjet një nga një. Kjo disfatë duhet të harrohet sa më shpejt. Të analizojmë gjërat e këqija për t’i rregulluar në vazhdimësi”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit