Gjici “me laps e letër”: Takaj lojtar i vjetër, këtë vit imitojmë Skënderbeun!

8 Janar 2019
12:34
back button

Katër fitore në 5 ndeshjet e fundit të vitit 2018, përforcime cilësore për ofensivën gjatë këtij muaji dhe tashmë Safet Gjici me të drejtë pret titullin kampion nga skuadra e tij, pasi Partizani është vetëm 3 pikë më lart dhe "po i merren këmbët", me vetëm një fitore në 5 ndeshjet e fundit.

Në një intervistë për emisionin “Pressing”, në ABC News, presidenti i Kukësit flet për garën për titull dhe ka një ide të veçantë si do ta fitojë atë.

Strategjia: "Kemi zgjedhur një strategji që i ka dhënë sukses Skënderbeut në të shkuarën, duke lejuar, të tjerët të çanin erën dhe pastaj nga shkurti dilte në vend të parë. Sivjet ndoshta kjo mund të jetë një nga formulat tona fituese. Megjithatë, kampionati është i fortë, të gjitha ekipet janë pranë dhe janë përforcuar. Po shikojmë që po përforcohet Partizani, por edhe Teuta e ekipet e tjera. Kukësi, Partizani, Skënderbeu, Teuta dhe pse edhe ekipet e tjera, do jenë pretendentë. Duhet t’ia lëmë kohës dhe fushës, ajo do tregojë kujt i mbajnë më shumë gjunjët deri në fund”.

Skënderbeu tremb ende: "Skënderbeu nuk është dorëzuar, duhet të pranojmë që ata kanë eksperiencë të jashtëzakonshme në futboll. Presidenti Takaj tani po bën skemat se si të arrijë prapë majat. Ai është lojtar i vjetër, Nuk dorëzohet kollaj. Ata kanë fituar shumë tituj, kanë kaluar ture dhe dy herë kanë qenë në grupe. Nuk besoj se Skënderbeu do dorëzohet kaq lehtë”.

Partizani: "Besoj se lojtarët e Partizanit do e ndjejnë presionin, siç e ka ndjerë para disa vitesh Kukësi, që shkonte afër titullit dhe nuk ia dilte. Merrnim rezultate pozitive dhe pastaj kalonte Skënderbeu që kishte eksperiencën duke dalë disa herë kampion. Nëse menaxhohet mirë presioni, fitohet titulli kampion. Edhe sulmuesi që ka marrë Partizani (Këame Karikari, ende jozyrtar si përforcim) është i huaj dhe i duhet kohë të përshtatet”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit