Kamza kompleton sulmin, sot nis stërvitjen përforcimi i fundit

7 Janar 2019
12:15
back button

Kamza ka rigjetur qetësi pas rezultateve të mira në fund të vitit të shkuar dhe ndërkohë klubi po punon fuqimisht për të përforcuar skuadrën, pasi ishte e qartë që duheshin disa lojtarë në pozicione kyçe në ekip.

Trajneri Ernest Gjoka donte patjetër një sulmues dhe tashmë e ka gjetur atë, sepse sot del në stërvitje meksikani David Izazola. 27-vjeçari luan si qendërsulmues, apo edhe anësor ofensiv, ndaj do të ketë një rol të rëndësishëm, sepse projektohet titullar.

Bëhet fjalë për një futbollist me shumë eksperiencë, sepse Izazola ka luajtur për disa vite në kampionatin meksikan, me emra të njohur si UNAM Pumas e San Luis, ndërsa ka shëtitur botën, duke kaluar nga Hungaria në Guatemala, nga Spanja në Indi, aty ku ka edhe historinë më absurde, sepse qëndroi vetëm 10 ditë te klubi Churchill Brothers Sports Club, duke u larguar për shkak të kushteve aspak të mira të jetesës për familjen e tij dhe frikës për të çuar në Indi beben e vet 7-muajshe.

Në fund të vitit të shkuar Izazola u kontaktua nga Kamza dhe vendosi të largohej nga Salamanca, për të provuar një aventurë të re në karrierën e tij të veçantë.

Izazola te Kamza merr vendin e malazezit Ognjen Rolovic, i cili shënoi vetëm 2 gola në 16 ndeshjet që luajti në pjesën e parë të kampionatit dhe nuk ishte lojtari i duhur për të bërë "lokomotivën" e sulmit.

Ndërkaq, priten zhvillime në mbrojtje, aty ku është zyrtarizuar afrimi i mbrojtësit Arbër Shala nga Drita, me klubin nga Kosova që e ka huazuar anësorin. Ditët e fundit Kamza ka biseduar me Kukësin për të marrë në huazim mbrojtësin Harallamb Qaqin, por gjithçka ka ngecur për shkak se Kukësi kërkon Olsi Teqjen, lojtar mjaft i rëndësishëm për Kamzën.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit