Klubi i Superiores, thirrje publike FSHF-së: Të pezullohet kampionati!

12 Mars 2020
12:07
Alfred Lleshi
back button

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot pezullimin e plotë të qarkullimit të automjeteve private, nga e premta deri të dielën, në Tiranë dhe Durrës, me paralajmërimin se kjo masë do të merret edhe për disa rrethe të tjera. Pra, situata emergjente e “Coronavirus” kërkon edhe veprime ekstreme, që ky virus të mos përhapet në masë të madhe. E thënë ndryshe, edhe futbolli ynë ka gjasa të “ulë qepenat”. 

Pavarësisht se për momentin, FSHF ka thënë se ndeshjet do të luhen pa tifozë, në stadiume të mbyllura, kjo gjë duket e vështirë të ndodhë. Madje, është klubi i parë i Superiores, Laçi, që ka bërë thirrje publike që kampionati të pezullohet. Diçka e tillë ka ndodhur në Itali, por edhe në vende të tjera, me ndeshje të ndryshme. Ja thirrja e klubit kurbinas: 

“Të ndodhur në një situatë të vështirë prej COVID-19, të gjithë e kanë parë se si shumë shtete të zhvilluara kanë pezulluar çdolloj aktiviteti sportiv. KF Laçi kërkon publikisht nga Federata Shqiptare e Futbollit që ta marrë seriozisht gjithçka po ndodh anembanë botës dhe të merret në konsideratë pezullimi i futbollit edhe në vendin tonë. 

Është shumë e rëndësishme që të mbrojmë futbollistët dhe stafin, të gjithë ata që duhet të bëjnë një punë të përditshme për të qenë gati për ndeshje. Kjo e rrit mundësinë që edhe futbollistët të preken nga Coronavirusi. Udhëzimet janë të qarta: “Qëndroni në shtëpi”. Këtë nuk mund ta bëjnë ata që merren me futboll në vendin tonë. Arsyet pse duhet ta ndalim janë të shumta, duke nisur nga shëndeti. Ai është i pari dhe bota e sportit duhet të përcjellë mesazhe ndaj popullatës. 

Së dyti, para, gjatë dhe pas ndeshjes është i paevitueshëm kontakti fizik mes 22 sportistëve qe ndodhen në fushë . Së treti , po nëse ndodh që ndonjë futbollist të preket nga Coronavirusi? Kështu do jepnim kontribut negativ në përhapjen e këtij virusi, që për momentin ka nënshtruar botën dhe ka shkaktuar me mijëra viktima.

Mund të gjenden me dhjetëra arsye se pse edhe në Shqipëri do të duhet ta ndalojmë futbollin, ndaj edhe njëherë i bëjmë thirrje FSHF-së që ta mendojë diçka të tillë, sikurse u kërkojmë edhe klubeve të tjera të mbajnë një qëndrim dhe bashkërisht të marrim vendimin e duhur për shëndetin e futbollistëve, stafeve teknike dhe mjekësore, si dhe të drejtuesve të klubeve e zyrtarëve të ndeshjeve”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit