Kukësi në ajër, tetë lojtarë duan të largohen

4 Maj 2019
9:22
Eraldo Harlicaj
back button

Kukësi ende lufton për të fituar të paktën një trofe këtë sezon, pasi kampionati duket një ëndërr e largët. Ekipi i presidentit Safet Gjici nuk ka arritur të shfrytëzojë gabimet e Partizanit dhe për këtë arsye po mendon vetëm për Kupën e Shqipërisë. Futbollistët duan të fitojnë një trofe me kuksianët, por po mendojnë dhe të ardhmen e tyre. 

Tetë lojtarë duan të ikin nga ekipi i trajnerit Ernest Gjoka në merkaton e verës. Futbollistë prej atyre që kanë shumë cilësi dhe kanë luajtur në formacion, nga porta te sulmi. Në Federatën Shqiptare të Futbollit janë depozituar kërkesat e Reginaldos dhe William Cordeiros para pak ditëve që njoftojnë këtë institucion, por dhe klubin se nuk duan të rinovojnë. 

Në krahun tjetër, në zyrat e FSHF-së kanë mbërritur dhe shkresa të tjera, pasi portieri Stivi Frashëri, mbrojtësit Simo Rrumbullaku e Ardian Cuculi; mesfushorët Arbër Çyrbja dhe Irakli Dzaria dhe sulmuesi i huazuar te Kastrioti Roger Junior kanë njoftuar klubin se nuk duan të rinovojnë me verilindorët. Vera duket se do të jetë e nxehtë dhe nënkampionët duhet të riformatojnë skuadrën nga e para. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit