Shameti alarmon Kukësin, frikë se ka dëmtuar ligamentet e gjurit

18 Mars 2019
8:55
Alfred Lleshi
back button

Kukësi rrezikon ta humbasë kapitenin për pjesën e mbetur të kampionatit. Pasi i “minoi” seriozisht shanset e titullit në Korçë, ku u mund në javën e 25-të të Superiores, skuadra verilindore është në ankth edhe për Ylli Shametin. Ky i fundit ka pësuar një dëmtim në gju dhe pret të bëjë rezonancën magnetike, për të mësuar çfarë ka realisht. 

Gjuri i është fryrë (enjtur) dukshëm dhe këmbën përkatëse nuk e zë plotësisht në tokë. Vetë gjirokastriti ka pohuar për “Telesport” se është shumë i frikësuar, pasi rrezikon të ketë dëmtuar ligamentet, sipas shenjave të para. Dhimbjen e ka të fortë, ndërsa çalon kur ecën. Supersfidën me të kuqtë thotë se e ka humbur, ndërsa tani është me zemër të ngrirë për më tej. 

Kjo do të ishte një goditje e rëndë për nënkampionët e vendit, sepse dihet pesha që ka Shameti në skuadër, jo vetëm si lider i mbrojtjes, por edhe si motivues i madh i të tijve gjatë lojës. Mbetet të shihet çfarë do të thonë kontrollet e hollësishme mjekësore, për të ditur nëse frika e madhe e vetë Shametit do të konfirmohet, apo lëndimi nuk është aq serioz sa duket. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit