Sulmuesi i Laçit, Kyrian Nwabueze, është një nga zbulimet më të mëdha të sezonit. Kurbinasit e afruan nga Drita dhe deri tani lojtari nuk ka zhgënjyer. Ai shënon rregullisht dhe është kthyer në makthin e mbrojtjeve kundërshtare. Amerikani mbetet pika më e fortë e skuadrës kurbinase dhe formacionit të trajnerit Armando Cungu.
Paraqitjet e tij të mira në edicionin aktual kanë rritur interesin drejt tij. Klubet turke po e monitorojnë me kujdes, pasi e shohin si lojtarin e duhur për ta rrëmbyer, nisur dhe nga potenciali i tij i madh.
Mediet turke bëjnë me dije se Adana Demirspor dhe Altay kanë shfaqur interes për lojtarin e Laçit. Futbollisti tundohet dhe nga interesimi i Rizesporit, që ndryshe nga ekipet e ligës së parë, luan në Superligën turke. Tre opsione që mund të kënaqin financiarisht dhe kërkesat e Laçit, megjithatë drejtuesit nuk kanë ndërmend ta shesin në janar, as në verë pa kaluar aventura e mundshme europiane.