Stojku e nis me kërcënim: Fitojmë ndaj Kukësit

19 Shkurt 2019
16:50
Eraldo Harlicaj
back button

Kamza ka nisur punën nën drejtimin e trajnerit të ri Gentian Stojku. Ky i fundit ka stërvitur ekipin të martën për herë të parë në kompleksin stërvitor të ekipeve kombëtare në Kamzë. Numri një i stolit ka besim te skuadra dhe mendon se kampionati i tyre nis nga takimi ndaj Kukësit. 

"Një ndër arsyet se pse kam marrë drejtimin e Kamzës është se ka shumë cilësi në ekip. Mendoj se skuadra i ka mundësitë për të bërë mirë dhe kampionati ynë do të nisë nga takimi me Kukësin. Janë 14 ndeshje dhe shumë pikë në lojë, mund t'ia dalim mbanë". 

Numri një i stolit flet dhe për vështirësitë dhe punën që e pret nën drejtimin e ekipit të Kamzës. "Duhet të punoj shumë në aspektin psikologjik, por dhe tekniko-taktik. Vjen një trajner i ri dhe skuadra duhet të përshtatet me atë stil loje që unë dua. Kam folur me presidentin dhe më ka dhënë garancinë që situatat e vështira do të zgjidhen". 

Nuk mund të mungonte dhe pyetja për ndeshjen e radhës kundër Kukësit. Kryepankina e Kamzës nuk ka asnjë presion dhe shpall objektivin që janë 3 pikët. "Kam një jetë në futboll dhe nuk kam asnjë presion. Ne do të shkojmë në çdo takim për të fituar 3 pikët dhe diçka të tillë do të mundohemi që ta bëjmë që ndaj takimit ndaj Kukësit. Nuk më intereson se kush do të jetë ekipi që do të kemi përballë", përfundoi ai. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit