Vllaznia “amerikane” për femra synon të shkaktojë befasinë e madhe në Ligën e Kampionëve

20 Tetor 2022
11:04
Alfred Lleshi
back button

Është një ditë e ngrohtë tetori në Shkodër, në veri të Shqipërisë, dhe ka tension në stadiumin “Loro Boriçi”, ku do të luhet një ndeshje historike e futbollit për femra, Vllaznia-Real Madridi. Kjo ndeshje është e vlefshme për fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.

Që nga gara e KF Tirana në edicionin 1989-1990 të Kupës Evropiane për meshkuj nuk ka pasur kaq shumë emocione për futbollin e klubeve në këtë komb të vogël, piktoresk, që e do lojën e bukur.

Ndërsa lojtarët e KFF Vllaznia ulen së bashku në stadium për të parë shortin e këtij viti të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve për femra, mund të ndjeni ankthin në dhomë. Dhe kur ato vendosen në të njëjtin grup me Chelsea, Paris Saint-Germain e Real Madrid, e gjithë kjo bëhet e pabesueshme.

Lexie Knox, mbrojtësja amerikane 23-vjeçare e Vllaznisë, ndalon teksa e riprodhon në kokë atë moment, pa mundur të shprehë me fjalë reagimin e skuadrës. “Kishte tronditje, emocione të ndryshme, – thotë ajo për GOAL. – Në fund, ne ishim sikur: Uau, këto janë emra të mëdhenj, por ne jemi gati. Duhet të punojmë shumë, sepse jemi këtu me meritë”.

Knox është një nga gjashtë amerikanet në ekip, që po jetojnë një ëndërr të pabesueshme mijëra milje larg shtëpisë, duke ndihmuar këtë klub të bëjë histori. Ajo mund të mos e kishte menduar se ëndrra e madhe do të realizohej në Shqipëri, por këtë e ka dashur gjithmonë.

“Kur isha më e re, si të gjithë thoja: dua të jem mësuese ose dua të jem oficere policie. Më pas i thashë vetes: Po, dua të bëhem futbolliste. Duke u rritur dhe duke parë ekipin kombëtar të femrave të SHBA-së, ato ishin padyshim një frymëzim”.

Pas përfundimit të karrierës së saj në kolegj, ku kaloi një vit duke luajtur së bashku me sulmuesen e Manchester City, Bunny Shaw, të cilën e përshkruan si “një mentor i madh”, Knox provoi veten te NFSL, por nuk u zgjodh.

Më pas pati prova me Gotham, ashtu si edhe shoqja e skuadrës së Vllaznisë, Meghan Cavanaugh, por të dyja lojtaret, të përfaqësuara nga e njëjta agjenci, Narroë Pathway, do të nënshkruanin kontratat e tyre të para profesionale në një vend për të cilin nuk dinin pothuajse asgjë.

“Unë definitivisht nuk e mendoja se do të arrija në 1/16 të Ligës së Kampionëve, – tha Cavanaugh për GOAL. – Por fakti që jemi këtu, tregon se puna e palodhur shpërblehet. Padyshim që nuk është rruga që unë mendoj se secila prej nesh e priste me të vërtetë, por me gjithë punën e vështirë që kemi bërë të dyja gjatë viteve, është kaq emocionuese të jemi këtu.

Tani do të luajmë kundër lojtareve që i shikojmë në TV. Sapo shikuam Anglinë kundër kombëtares së femrave të SHBA-së dhe thamë: Oh, ouuuu, ne do të jemi në të njëjtën fushë me disa prej tyre”.

Arritja në fazën e grupeve nuk ka qenë detyrë e lehtë. Ato mund të jenë nëntë herë kampionet e Shqipërisë, por Vllaznia kishte kaluar me sukses raundet kualifikuese vetëm një herë në 11 përpjekje para këtij sezoni.

Megjithatë, një fitore e përgjithshme 3-1 ndaj skuadrës ukrainase Vorskla-Kharkiv-2 vulosi vendin e tyre në mesin e më të mirave të Evropës. Lumturia është e madhe në qytetin e Shkodrës, ku skuadra e femrave po ngërthen interesin e pakufishëm të tifozëve.

“Futbolli i meshkujve ishte tashmë mjaft i popullarizuar këtu, por tani ekipi i femrave po bën emër, – shpjegon Knox. – Njerëzit kanë filluar të flasin për ekipin e femrave të Vllaznisë. Duke dalë nga banesa, njerëzit thjesht më thonë gjëra të tilla si: Vllaznia, shumë mirë! Ju po ua kaloni djemve, po luani kundër Real Madridit! Tifozët janë të emocionuar”.

Ndeshja kundër “Los Blancos” është ajo për të cilën nëna e Knox ishte më e emocionuar kur vajza e saj dërgoi mesazhe menjëherë pas shortit, gjithashtu, me fluturimet e saj për në Madrid, të rezervuara menjëherë.

Sidoqoftë, dyshja amerikane i ka sytë te ndeshjet e Chelsea në veçanti, pasi ato përpiqen të testojnë veten kundër disa prej më të mirëve. “Për mua, veçanërisht duke qenë një qendërmbrojtëse, Sam Kerr është ajo me të cilin jam e emocionuar të luaj kundër saj, – thotë Knox. – Më pëlqen ta shikoj lojën e saj dhe thjesht të jem aty për ta mbrojtur, do të jetë një nder, sinqerisht”.

Cavanaugh po pret me padurim betejat kundër Fran Kirby dhe Jessie Fleming, të cilat i shikon si fanse e madhe prej disa kohësh. Vllaznia nuk po kërkon vetëm të marrë një ose dy suvenir nga këto ndeshje. Pasi të bjerë bilbili, gjithçka ka të bëjë me rezultatin:

“Ne nuk kemi shumë pritshmëri në grupin tonë, kështu që kur të dalim në fushë do të synojmë më të mirën. Me të vërtetë shpresojmë që thjesht t’i tronditim njerëzit dhe t’i bëjmë ata të thonë: Oh, uau, ia dolën edhe këtu! Fundja, ju kurrë nuk e dini se çfarë do të ndodhë në futboll”, – thotë Cavanaugh.

“Kjo është një fazë e pabesueshme, –  shton Knox. – Ky është një grup i jashtëzakonshëm. Ne i kemi vendosur tashmë emrat tanë atje, duke u përzgjedhur në Grupin A. Njerëzit janë të interesuar të dinë se kush jemi dhe për çfarë jemi ne.

Kjo fazë, sinqerisht ka të bëjë vetëm me vendosjen jo vetëm të Vllaznisë në hartën e futbollit, por edhe për të bërë emër si lojtare individuale dhe si ekip. Nuk mund të kërkonim asgjë më shumë”. Ky ekip nuk ka asgjë për të humbur dhe gjithçka për të fituar, ndërsa tre nga klubet më të mëdha në botë përgatiten të vijnë në qytet. Ata tashmë kanë bërë histori.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit