Arsenal përgatitet për një përballje të vështirë këtë fundjavë në Premier League në fushën e Bournemouth. Trajneri i “topçinjve” Mikel Arteta ka qenë i sheqtësuar ditët e fundit për shkak të disa dëmtimeve që lojtarët e tij kanë pësuar gjatë kohës që kanë qenë në kombëtare.
Ai sot ka sqaruar situatën e disa prej titullarëve, duke nisur nga ylli i skuadrës: “Saka nuk ka një dëmtim serioz. Ai po rikuperon shumë mirë dhe është stërvitur dy ditët e fundit. Kemi një seancë stërvitore të fundit para ndeshjes dhe të shohim se si do të shkojnë gjërat”.
“Havertz kishte disa probleme me të cilat po trajtohet. Nëse stërvitet mirë sot, ai ka një shans të madh që të jetë në formë dhe i disponueshëm”, tha Arteta për sulmuesin, ndërkohë që foli edhe për gjendjen e Martinelli: “Ai erdhi këtu vetëm dje pasdite dhe s’kemi patur shumë kohë ta vëzhgojmë, por s’do të rrezikojmë”.
Disa fjalë edhe për kapitenin: “Odegaard nuk do të luajë këtë fundjavë, më pas të shohim. Në fazat e tjera të rehabilitimit të tij ai duhet të bëjë gjërat me kujdes, veçanërisht me topin. Java e ardhshme është e rëndësishme për të parë sa afër rikthimit është ai”.
Tri lojtarë të tjerë në dyshim janë Timber, Zinchenko e White: “Ata janë shumë afër rikuperimit, që të tre. Sot do të duhet të përpiqemi të shohim se si është gjendja. Shpresojmë që të kemi diçka pozitive prej tyre, pasi kemi probleme në krahun e djathtë me lojtarët në dispozicion”.