Trajneri i Chelsea, Enzo Maresca, ka mbetur i zhgënjyer nga barazimi 1-1 që arriti dje ndaj Manchester United në kampionat. Ai shprehet se gjyqtari nuk u tregua i drejtë, duke mos nxjerrë me të kuqe Lisandro Martinez.
Ky i fundit bëri një ndërhyrje të rëndë ndaj Cole Palmer, ndërkohë që VAR nuk ndërhyri. “Ai episod mund të kishte ndryshuar rrjedhën e ndeshjes dhe mund ta kishim fituar atë. Më vjen keq që ndoidhin këto gjëra edhe me VAR”, u shpreh italiani.
“Unë e pashë ndërhyrjen e Martinez ndaj Palmer në televizor pas ndeshjes dhe mendoj se është mjaft e qartë për të gjithë ne, por edhe për ata zyrtarët që monitorojnë gjithçka. Në fund ata morën një vendim tjetër”, tha Maresca.
“Kur kundërshtari nuk ka qëllim të shkojë për topin dhe godet direkt këmbët e lojtarit, është e kuqe. Gjyqtari nuk tha asgjë, por kur shkon për një lojtar apo këmbët, nuk ka dyshim për vendimin. Unë mendoj se është mjaft e qartë se është e kuqe”, tha Maresca.