Trajneri i Arsenal, Mikel Arteta, u shpreh i zhgënjyer pas humbjes 0-2 në fushën e tij ndaj Newcastle në gjysmëfinalen e parë të Carabao Cup. Gjithsesi, ai beson plotësisht se skuadra e tij mund ta kthejë rezultatin në sfidën e kthimit.
“Dallimi më i madh në këtë sfidë të parë ishte të qënit cinik para porte, ku ne gabuam në shanset tona. Në çdo aspekt tjetër, ne ishim ekipi më i mirë. Ata shënuan dy gola në rastet e tyre dhe arritën të fitonin ndeshjen në këtë mënyrë”, tha Arteta.
“Kur humbet rastet për shënim dhe më pas pëson gol është gjithmonë e vështirë për të rikuperuar, por skuadra reagoi. Ne krijuam shumë situata, por është e vërtetë, ata mbrojtën shumë mirë zonën e tyre”, tha spanjolli.
“Në ndeshje të tilla gjysmëfinale duhet të jesh i pagabueshëm para porte në rastet që të krijohen. Gjithsesi, unë kam besim të plotë tek ekipi im, pasi e kam parë duke luajtur kundër tyre dhe besoj se mund t’ia dalim“, shtoi Arteta.







