Ollie Watkins ka qenë një nga emrat më të spikatur në tregun e transferimeve të merkatos së janarit. Sulmuesi i Aston Villa-s tërhoqi interesimin e Arsenal-it, klubi londinez po kërkonte të forconte sulmin për të përballuar gjysmën e dytë të sezonit, pas dëmtimit të rëndë të brazilianit Gabriel Jesus.
Megjithatë, negociatat nuk përparuan për shkak të refuzimit të klubit të Aston Villa-s për të ndarë rrugët me golashënuesin e tyre më të mirë në një moment kaq vendimtar të sezonit. Klubi i drejtuar nga Unai Emery refuzoi 60 milionë eurot e ofruara nga “Topçinjtë”.
Por, mediat angleze janë të sigurta që në verë Watkins do kalojë tek Arsenal, pasi është vetë dëshira e sulmuesit anglez për të veshur fanellën e “Topçinjve” dhe drejtuesit e Aston Villa-s janë të detyruar të respektojnë dëshirën e lojtarit. Watkins pritet t’i kushtojë Arsenal-it jo më pak se 65 milionë euro.







