Adili, çfarë “sparkate” në start: Laçi ta ketë për nder që luan ndaj nesh!

10 Shtator 2021
12:23
Alfred Lleshi
back button

Vllaznia do ta startojë nesër kampionatin e ri, duke u përballur më Laçin. Në konferencën për shtyp ka dalë mbrojtësi kuqeblu, Mevlan Adili, i cili ia ka thumbuar fort kurbinasit, duke “i hedhur benzinë zjarrit” në njëfarë mënyre. Për shqioptarin nga Shkupi, Laçi duhet të ketë nderin që luan me një ekip si Vllaznia:

“Jam i lumtur që erdhi dita ta fillojmë kampionatin. E dimë se për cilin kundërshtar bëhet fjalë, dimë pikat e forta dhe të dobëta të kurbinasve. Siç e dinë edhe ata se kë kanë përballë.

Jemi të uritur për kampionatin e ri, skuadra më duket mirë. Bërthama e ekipit që ka mbetur nga sezoni i kaluar ua ka bërë më të lehtë lojtarëve të rinj për t’u përshtatur.

Objektivat? E kam thënë edhe sezonin e shkuar, kundërshtari i vërtetë i Vllaznisë është vetvetja. Nëse jemi më të fortë se sezonin e kaluar, këtë do t’ia lëmë kohës. Ato që thotë drejtori Djarmati nuk i thotë kot, daltë fjala e tij.

Duke parë ambientin brenda dhe jashtë fushe jam më shumë se i kënaqur që luaj këtu. Nëse do ta përsërisnim sezonin e shkuar nuk do isha i kënaqur, sepse e humbën në fund titullin kampion. Këtë sezon le ta fitojmë.

Kupat e Europës? Diferenca është e madhe, aty e sheh se nuk kanë diçka më shumë skuadrat e huaja, por organizimi është ndryshe. Kur merr pjesë atje, bëhesh më i fortë. Nuk i trembemi Laçit, sikurse asnjë kundërshtari. Laçi ta ketë për nder që luan me një ekip si Vllaznia, jo ne”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit