Cungu: Nuk e marr Vllazninë, nuk ka ndryshuar asgjë

21 Mars 2019
9:55
Eraldo Harlicaj
back button

Ish-trajneri i Kukësit, Armando Cungu, pas rikthimit në Shkodër ka folur në lidhje me largimin e kolegut Hasan Lika nga pankina e Vllaznisë. Trajneri tiranas la ekipin kuqeblu për të emigruar në Amerikë së bashku me familjen e tij. Një situatë paksa e padëgjuar më herët, por për Cungun është normale në realitetin shqiptar dhe atë që po përjetojmë. Deklarata të tilla, trajneri shkodran i ka dhënë për mikrofonin e televizionit lokal, Rozafa. 

"Lika ka bërë një punë të shkëlqyer te Vllaznia. Është një trajner me eksperiencë të madhe dhe meriton respekt. Situata e tij është një hemorragji që po ndodh në shoqërinë shqiptare. 

"Ajo që të dhemb më tepër është se në vitet e para të demokracisë kanë ikur pjesa e popullsisë në masë, ndërsa vitet e fundit kanë zgjedhur të ikin njerëz me reputacion, profesionistë dhe kjo është që nuk më lë shije të mirë. I uroj vetëm fat Likës. Largimi i tij i bën keq Vllaznisë për mendimin tim". 

Cungu nuk e mendon një rikthim te Vllaznia në këtë moment. "Nuk kam marrë asnjë kontakt nga drejtuesit, por dhe nëse marr vetëm do i falenderoj. Dua të rri pushim. Isha te Vllaznia dhe u largova për situata që mendova se ishin të vështira në ato momente dhe mendoj se nuk ka ndryshuar asgjë në këtë drejtim. 

"Kam treguar se jam munduar si shkodran dhe moralisht e kam pasur detyra ta drejtoj Vllazninë në ditë të vështira dhe kam bërë aq sa kam mundur dhe mendoj se deri diku kam pasur një aventurë të suksesshme duke parë parasysh rrethanat dhe mundësitë e klubit". 

Trajneri foli dhe për rikthimin e Vllaznisë në Superiore. "Nëse nuk kanë punuar deri tani janë vonë për Superiore. Vllaznia ka nevojë për ndryshime rrënjësore", – mendon Cungu.  

Lajme të tjera

Lajmet e fundit