Dede: Nuk jam agronom…; Tirana është e dënuar ta fitojë derbin

3 Dhjetor 2020
10:27
Alfred Lleshi
back button

Ditët kalojnë, emocionet shtohen. Tashmë mbeten diçka më shumë se 24 orë deri në derbin e parë sezonal, mes Tiranës dhe Parftizanit. Nesër, prej orës 18:00, në “Arena Kombëtare” do të luhet përballja e madhe kryeqytetase, në kuadrin e javës së 6-të të Superiores. Të kuqtë janë kryesues, ndërsa kampionët disi të zhbilancuar në renditje. Në konferencën për shtyp doli sot trajneri Nevil Dede, i cili nënvizoi mes të tjerash:

“Mendoj se në aspektin psikologjik nuk ka nevojë për shumë komente. Në aspektin mediatik rezultatet bëjnë që të duket situata jo e mirë. Më duket se ekipi im është paraqitur mirë. Kthesa në derbi? Gjithmonë i mëshohet se fillimi nuk është i mirë. Po të ishte i mirë nuk do të isha as unë këtu. Do të rikthehemi shumë shpejt. E rëndësishme është që të kthehen lojtarët dhe më pas rezultatet e mira.

Goli? Nuk kemi shënuar pak, është perceptim i gjithkujt. Na pret një ndeshje e vështirë, historike për ne dhe rivalin. Do ta përjetojmë shpirtërisht dhe do të mundohemi të paraqitemi sa më mirë. Tirana është e dënuar të fitojë derbin dhe tituj. Të gjithë brezat edukohen me këtë mendim. Ne duhet të mendojmë të bëjmë më të mirën dhe të kënaqim njerëzit që na ndjekin në ekrane, që po kalojnë momente të vështira.

Luajmë në një kampionat të ngjeshur dhe duhet të bëjmë më të mirën. Duhet të përmirësojmë ato probleme që kemi shfaqur në çdo ndeshje. Ngacmime me Dajën? Nuk jemi shkëmbyer në lagje. Kemi respekt maksimal dhe kemi punuar së bashku. Në fund duhet të jemi krenarë që do t’u përcjellim tifozëve momente të bukura. Uroj të fitojë më i zoti.

Nuk e kam vendosur unë dënimin e Tiranës për fitore, por këto figura të mëdha që shihni përreth. Të dyja ekipet janë të ekuilibruara dhe do të mundohen të gabojnë më pak. Stadiumi? Organizatorët kanë vendosur kështu. Nuk jam agronom, nuk vendos unë cila është fusha më e mirë apo më e keqe. Stadiumi “Air Albania” është një reklamë për ne. Kujt nuk i pëlqen të luajë aty.

Debutuesit në derbi? Gjithmonë ka një herë të parë. E rëndësishme është të jenë me motivimin e duhur dhe të kemi angazhimin e të gjithëve. Të gjithë do ta provojnë një herë. Mbi të gjitha duhet të jenë krenarë që bëhen pjesë e një ndeshjeje historike të futbollit shqiptar”.

Flet edhe Ismajlgeci:
“Derbi është një ndeshje e fortë. Jemi të motivuar dhe do të futemi në fushë të japim maksimumin. Nuk besoj se ka nevojë për motivim ekstra. Emocionet më shumë i kemi në fushë, se sa këtu në konferencë. Gjithmonë në fushë futemi për maksimumin. Ua kemi borxh tifozëve një fitore. Mala? Kam respekt për të. Do ta shohim në fushë duelin”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit