Dedja “kërcënon” Tiranën: Dy fanella të rënda, përballemi si të barabartë!

18 Qershor 2020
13:00
Alfred Lleshi
back button

Nesër, prej orës 17:00, në “Selman Stermasi”, pa tifozë, do të luhet klasikja e futbollit shqiptar, Tirana-Vllaznia. Vendësit po marshojnë drejt fitimit të titullit, ndërsa kuqeblutë duan të mos rrezikojnë mbijetesën në Superiore. Trajneri Hysen Dedja ka folur për mediat para këtij ballafaqimi, që mbart në vetvete shumë histori dhe trofe, në të dyja anët: “Skuadra nuk është aty ku duhet, pas pandemisë. Megjithatë, dua të dal direkt te ndeshja e radhës. Në këto ditë, që pata mundësinë me korigju disa gabime, që na janë shfaqur në pjesën e dytë kundër Teutës, për Kupën e Shqipërisë, dhe ndaj Bylisit, kam punuar që të mos përsëriten më.

Në takimin e nesërm përballen dy kundërshtarë me objektiva të kundërt. Tirana synon të mbrojë vendin e parë në renditje dhe të fitojë titullin kampion, ndërsa ne, me 39 pikë aktualisht, t’i shpëtojmë zonës së “paly out”-it. Me skuadrën kam biseduar në analizën dhe para seancave stërvitore, pas barazimit me Bylisin. Do ta konsiderojmë ndeshjen e nesërme në Tiranë si një sfidë mes dy fanellash të rënda të futbollit shqiptar. Pra, do të luajmë si të barabartë psikologjikisht, pavarësisht se në fushën e bardhebluve. Duhet ta shfrytëzojmë këtë gjë, sikurse bëjnë kundërshtarët në fushën tonë. Luhet pa tifozë, ndaj faktori-fushë minimizohet në këto kohë. Jemi optimistë, do të luajmë si të barabartë dhe, duke përjashtuar vetëm humbjen, çdo rezultat tjetër për ne konsiderohet pozitiv.

Që pardje kemi biseduar me skuadrën vetëm për ndeshjen me Tiranën, pasi kemi analizuar të metat që shfaqëm në shtëpi, ndaj Bylisit. Lojtarët janë të gatshëm. Marku është i dëmtuar. Hygor, po ashtu, nuk do të udhëtojë me ne drejt Tiranës. Jemi të përgatitur për këto gjëra, duke pasur parasysh ndërprerjen e gjatë të kampionatit dhe ndeshjet e ngjeshura pas rifillimit. Të tilla përballje mbartin edhe nostalgjinë brenda tyre. Me këtë frymë jam munduar t’i pajis lojtarët e mi para transfertës me Tiranën, duke iu kujtuar historinë mes këtyre dy skuadrave. Kemi në skuadër edhe lojtarë të vjetër, që e dinë mirë çdo të thotë të luajë Tirana me Vllazninë.

Me këtë psikologji të fanellës së rëndë shkojmë në kryeqytet, ashtu sikurse vjen Tirana në Shkodër. Kështu ka ndodhur gjithmonë. Formacioni? Shumë pak lëvizje do të ketë. Kam punuar në stërvitje, grupi e di kush do të luajë nga fillimi. Duke pasur parasysh lojën që bën kundërshtari, kam punuar këto ditë në asopektin taktik. Llogaris edhe egon e Tiranës, që vjen pas një gabimi të fundit në Durrës dhe do të kërkojë të rehabilitohet. Jam munduar shumë ta përgatis skuadrën si duhet dhe them me kënaqësi se lojtarët kanë reaguar më së miri në stërvitje”.

Standings provided by SofaScore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit