Djarmati dhe Zogovic: Ndaj Teutës nis kthesa, aleancave s’kemi çfarë t’u bëjmë…

2 Mars 2021
11:47
Alfred Lleshi
back button

Në 6 ndeshjet e fundit, vetëm një fitore. Nga 9 pikë diferencë, tashmë vetëm 3 të tilla karshi ndjekësit më të afërt, Partizanit. Ndeshja e radhës për Vllazninë është tepër e rëndësishme, por me shkallë vështirësie të lartë. Teuta, që mëton kreun dhe titullin, aktualisht me 4 pikë më pak se kuqeblutë, duhet kaluar me sukses. Në të kundërt, rrokullisja do të bëhej më e madhe, situata kritike. Drejtori sportiv i skuadrës shkodrane, Matko Djarmati, doli sot në konferencë për shtyp, bashkë me portierin Zogovic. I pari nënvizoi:

“E dimë se ku është problemi, do ta zgjidhim dhe do të vazhdojmë rrugën tonë. Edhe psikologjikisht ekipi nuk është përgjigur si duhet, por edhe teknikisht kemi pasur probleme. Kemi sjellë tre lojtarë në janar. Edhe ekipet e tjera i aktivizojnë dalëngadalë lojtarët e rinj.

Nuk deshëm të prishnim grupin. Lojtarët e afruar në janar kanë nevojë për kohë, njëri prej tyre mund të jetë në fushë nesër. Ndeshja ndaj Teutës nuk është vendimtare, sepse ka shumë të tjera deri në mbyllje të kampionatit. Fitorja na rrit shumë psikologjikisht dhe na hap rrugën për t’u rikthyer në ujërat e mëparshme.

Shkarkimi i Brdariç? Hera e parë që më bëhet kjo pyetje, nuk është biseduar aspak kjo çështje. Dje e takuam Xhaferin. Në Kupë duhet fitore me patjetër, humbja do të ishte shumë zhgënjyese. Do të bëjmë maksimumin në të dyja frontet. Objektivi i klubit janë Kupat e Europës. Kështu si ka shkuar kampionati, çdo njeri ka objektiva të larta.

Unë gjithmonë kam përmendur të njëjtin objektiv. Shpresoj të dalim sa më shpejt nga kjo krizë dhe të arrijmë objektivat. Nëse kemi shansin, le të fitojmë edhe titullin, sigurisht që do ta provojmë. Aleancat? Nuk ndryshojmë dot asgjë, nuk është në dorën tonë. Nuk kemi frikë, por të bëjmë kujdes”.

Nga ana e tij, portieri malazez shtoi: “Ia kam bërë analizën e vetes. Te goli i Bathës kam reaguar gabim, më vjen keq, por vazhdojmë para. Sherr me Da Silva, pas golit të Bathës? Nuk janë të çuditshme këto raste. Kemi pasur një debat gjatë ndeshjes, më pas kemi biseduar në dhomat e zhveshjes dhe kemi sqaruar gjithçka.

Kushdo dëshiron ta fitojë ndeshjen. Nuk ishte diçka që nuk ndodh në futboll. Unë nuk shoh probleme në atmosferën e ekipit. Ndeshja ndaj Tiranës e ka ulur disi entuziasmin. E kemi analizuar ndeshjen dhe e dimë se ku kemi gabuar. Do të marrim rezultat pozitiv nesër dhe do ta rikthejmë të njëjtën atmosferë që kishim.

Kam luajtur edhe në kampionate të tjera, por këtu diferencat janë shumë të vogla mes ekipeve që dalin kampion dhe atyre që bien. Jemi përgatitur për Teutën, ndaj saj kemi një ecuri të mirë. Kjo ndeshje mund të shërbejë si kthesë për të vazhduar në rrugën ku ishim më parë”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit