Arsenal mundi 2-0 Manchester United në sfidën “big” të Premier League, një sukses që i jep mundësi londinezëve të ngushtojnë në 7 pikë diferencën ndaj Liverpool. Fitorja erdhi në pjesën e dytë falë dy golave identikë nga goditjet nga këndi.
Duket se skema e aplikuar gjatë gjithë ndeshje nga “topçinjtë” dha rezultat, teksa kërcënuar shpesh portën e Onana. “Ne mund të kishim shënuar edhe me aksion, siç bëmë kundër West Ham e Sporting. Skuadra ka besim. Ne kemi kapacitetin për të kërcënuar kundërshtarin nga çdo goditje këndi”, tha Arteta.
“Gjithsesi, jam shumë i lumtur. Ishte një ndeshje shumë e veçantë për klubin, e 500-ta në këtë stadium të jashtëzakonshëm kundër një kundërshtari të veçantë dhe me kaq shumë histori mes dy skuadrave”, tha Arteta.
“Jam i kënaqur edhe me mënyrën se si luajtëm, pasi ndryshuam disa gjëra për pjesën e dytë. Ishim dominues në fushë, kështu që kjo ndeshje dhe kjo fitore është shumë pozitive për ne. Tani jemi më pranë Liverpool, ndaj të vazhdojmë kështu”, tha Arteta.







