Egbo duhet të prishë mallkimin 6-vjeçar në derbi: Kur luaja vetë, e nisnim ndeshjen 1-0…

12 Dhjetor 2019
14:23
Alfred Lleshi
back button

Rrethanat e pafavorshme e sollën që derbin e nesërm të kryeqytetit, i pari që luhet në “Air Albania Stadium”, të drejtojë si trajner i Tiranës. Ka provuar portën dhe pjesëtarin e stafit teknik bardheblu, tashmë i duhet ta udhëheqë klubin e futbollit më të titulluar në Shqipëri në supersfidën me “armiqtë” historikë. Një mision që e bën nigerianin krenar në disa drejtime, por i vendos mbi shpinë edhe një “Golgotë” të rëndë, sepse duhet të bëjë më të mirën në momentin plotësisht “jo” të 24 herë kampionëve të vendit. Po ashtu, duhet të prishë rekordin tejet negativ të Tiranës, plot gjashtë vite pa fitore ndaj “demave të kuq”. Të gjithë këto faktorë e vendosin në qendër të vëmendjes Emanuel Egbo, edhe pse është thjesht një “gomë rezervë”, apo më mirë të themi, trajner emergjence të bardheblutë. 

Për mediat, para duelit antagonist me Partizanin, ai ka thënë mesditën e sotme: “Tirana është klubi më i madh në Shqipëri dhe e pranoj çdo punë. Është detyrë, pasi është klubi i zemrës. Këtu kam ardhur për herë të parë në Shqipëri. Ndaj Partizanit duhet ta marrim si ndeshje të radhës. Derbi është në fokusin e krejt Shqipërisë, ka edhe nga jashtë që duan ta shohin. Nuk mund të flas për objektiva, është ndeshja e radhës, që duhet fituar. Objektivat janë të njëjta nga fillimi i kampionatit. Vendin e parë e kemi 6 pikë larg për momentin. Nesër do të futemi në fushë për të luftuar, para së gjithash. 

A ëndërroj ta drejtoj Tiranën deri në fund të sezonit? Nuk mund të them nëse jam njeriu i duhur apo jo. Më është dhënë besimi për ta drejtuar skuadrën tani dhe nuk më intereson të shoh larg. E përsëris, nuk e di nëse jam i duhuri apo jo për këtë pozicion. Kjo është zgjedhja momentale e klubit. Nuk mendoj ta drejtoj Tiranën deri në fund, duhet një trajner me eksperiencë. Tirana do një staf të plotë, tani jam vetëm me përgatitësin atletik. Ta kalojmë këtë ngërç dhe klubi do të vendosë për trajnerin e ri.

Për momentin mendojmë vetëm për derbin me Partizanin. Nuk na mungon asgjë për të fituar. Duhet të luftojmë në çdo ndeshje, por nevojitet edhe durim. Nuk duhet të mendojmë sa kohë kemi pa fituar ndaj Partizanit dhe të dalim jashtë detyrave taktike, duke u udhëhequr nga presioni i opinionit. Është pak e vështirë ndaj të kuqve, ata janë të parët. Ne jemi më poshtë, por kjo na motivon më shumë për ta ngushtuar distancën me kreun. Derbi është momenti për të dhënë 100 për qind të kapacitetit që kemi. Tri pikë ndaj Partizanit mund ta qetësojnë shumë situatën që po kalojmë.

Mungesat? Edhe kundërshtari nuk i ka të gjithë lojtarët gati, jo vetëm ne. Duhet ta luajmë derbin pa Hasanin, Dungën, Cale dhe Osmanin. Shpresoj se ata që do të luajnë të japin maksimumin në fushën e blertë. Përjetimi dikur, si lojtar dhe tani si trajner? Kur isha futbollist, ishte epokë tjetër. Atëherë dilnim rregullisht kampionë. Kemi pasur lojtarë më ndryshe. Kishim Fortuzin dhe sa fillonim ndeshjen e dinim që ai shënonte. Pra, e nisim lojën praktikisht në epërsi 1-0. Futbolli tani ka ndryshuar, nuk ka ekipe të lehta dhe të forta. E shikoni vetë nga diferenca në renditje. Atëherë ishin Tirana, Partizani dhe Dinamo, ekipet e tjera ishin dytësor në Superiore”.

Standings provided by Sofascore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit